Tifo-grupi kosovar akuzon dy lojtarët e skuadrës për kurdisjen e ndeshjes!

Tifo-grupi kosovar akuzon dy lojtarët e skuadrës për kurdisjen e ndeshjes!

Sport April 18, 2019 - 16:54
Detajet

Tifozët e Rahovecit kanë ngritur dyshime të mëdha rreth kurdisjes së ndeshjes ndaj Pontes nga Prizreni, e që sipas tyre buron nga Ylli i Suharekës, raporton Gazeta Olle.

Ky është reagimi i plotë i Vreshtarëve.

Image

“24 orë për sqarim nga Minnis dhe Fred

Të dashtun qytetarë të Rahovecit. Ultras Vreshtarët me vëmendje kanë përcjellë zhvillimet në ditët e fundit rreth klubit ku kemi marrë informacione serioze se dy lojtarë të klubit janë përfshirë në manipulim i cili buron nga klubi jonë fqinj, Golden Eagle Ylli.

Më poshtë, ju sjellim kronologjinë e zhvillimeve të fundit.

1. ARBNOR RIFATI

(trajner i PONTE Prizrenit) – piun i Golden Eagle Yllit, i paguar nga kjo skuadër për të bërë ç’mos që të mos shkojë Rahoveci në gjysmëfinale për t’u përballur me Yllin, pasi kështu do të rrezikohet rruga për në finale – dihet se Rahoveci ka vetëm një humbje nga Ylli këtë sezon (ndeshjen e vjedhur e konsiderojmë fitore).

Veprimet e trajnerit të Ponte Prizrenit japin indikacion se interesimi i tij nuk është ta çojë Ponten në finale të playoffit, por klubi prej të cilit paguhet dhe e dashuron, Ylli.

Për të realizuar planin e Yllit, Arbnor Rifati ka manipuluar dy lojtarët e Rahovecit, Deshaun Minnis dhe Fred Richardson. Rifati është menaxher i Minnis dhe manipulimin e lojtarëve e ka realizuar lehtë.

Ultras Vreshtarët kanë marrë informacione të sigurta se dy lojtarët e Rahovecit javën e fundit kanë qëndruar shpesh në Prizren, ku janë parë duke qëndruar me lojtarët e Pontes, Elliot Cole dhe Malcolm Canada, e ku në prezencë të tyre ishte edhe menaxheri i tyre Arbnor Rifati.

Diskutimi i tyre ishte se si të minimizohej performanca e Minnis dhe Fred, dy lojtarëve kryesorë të Rahovecit, të cilët në këmbim të një karriere sa më të mirë në Evropë kanë pranuar që të realizojnë planet e menaxherit të Minnis, trajnerit të Pontes, Arbnor Rifatit.

Show i tyre me ngulitje dhe kinse me kacafytje me lojtarët e Pontes ishte një manipulim perfekt për publikun, që të mendojë se ekzistoi rivalitet dhe përballje e mirëfilltë, gjë që në të vërtetë nuk ndodhi.

Minnis dhe Fred patën performanca të dobëta, vetëm një javë pasi ishin të pandalshëm nga Prishtina, pesë herë më e fortë se Ponte – dhe për këtë ka arsye – Minnis rrallë herë depërtonte duke pasuar topin jashtë, e Fred ishte pa disponim.

Arbnor Rifati ishte aq i sigurtë në fitore, sa që në një nga komentet tha se edhe 40 mijë tifozë të Rahovecit nuk e ndalin Ponten – ani pse këta tifozë me ekipin vetëm një javë më herët ishin afër të mposhtin Prishtinën, kampionen historike.

Image

2. PESË HUMBJE RRESHT !!!

Krejt “rastësisht” Ponte pas pesë humbjeve rresht, po e fiton ndeshjen e parë ndaj Rahovecit, Rahovecit tonë që para një jave vetëm sa nuk e gjunjëzoi Prishtinën në një ndeshje tejet të barabartë.

Arbnor Rifati si një manipulator i shkëlqyer qëllimisht urdhëroi ekipin të humben pesë ndeshje rresht që të bien nga pozita e katërt në të gjashtë, për t’u përballur me Rahovecin, aty ku Rifati e ka lojtarin e tij, Minnis, i cili bindi edhe dy bashkëlojtarët e tij, Fred Richardson dhe James Stanback (i pastërt është vetëm Andre Washington, i cili tregoi profesionalizëm).

As kjo nuk është e rastësishme!

3. DY MINUTAT E FUNDIT TË NDESHJES

Rifati, Minnis dhe Fred ashtu sikurse lojtarët tjerë të Pontes u befasuan nga performanca e Qallakut dhe Junikut, të cilët shënonin vazhdimisht pikë, duke bërë që ndeshja jashtë planeve të jetë e ngushtë.

Rahoveci 2 minuta pa përfunduar ndeshja kishte 7 pikë epërsi plus posedimin e topit, e ku krejt rastësisht kjo epërsi shkrihet.

Me gjashtë sekonda të fundit, ishte James Stanback ai që në vend se të pasonte te Juniku për të shkrirë sekondat dhe për të vulosur fitoren pranë rezultatit 69-68 vendos që të qëndrojë në një vend dhe të faulohet për t’i dhënë mundësi tjetër Pontes të parazojë.

Fred Richardson (nuk dihet pse ai gjuajti, gjyqtarët duhet të japin përgjegjës) e humbi qëllimisht gjuajtjen e parë, për të shënuar gjuajtjen e dytë, ku i ka mundësuar një time out tjetër ekipit të Pontes me 6 sekonda të mbetur për të shënuar një treshe në fund nga Elliot Cole që vulosi fitoren mirë të orkestruar.

4. PLANI DREJT REALIZIMIT

Ky tandem i cili ka manipuluar klubin dhe gjithë qytetin planin për të përmbyllur këtë skenar e kanë pikërisht në Rahovec, pasi që ndeshjen e dytë do të sigurohen që seria të bëhet 1-1 dhe sërish për të bërë më të besueshëm skenarin, të realizojnë atë në Rahovec para syve të gjithë publikut i cili paratë për të shikuar ndeshjet i fiton me djersë të madhe dhe klubi ka kaluar nëpër vite e vite vështirësi.

Ky plan është i tëri i orkestruar nga KB Ylli dhe Arbnor Rifati për të lehtësuar rrugën e suharekasve drejt finales për titull pasi në një seri gjysmëfinale me 5 ndeshje Rahoveci do të ishte i pamposhtshëm dhe lojtarët amerikanë nuk janë të manipulueshëm në atë rast – vetëm nëse ndërhyn menaxheri i Minnis, Arbnor Rifati.

5. ULTIMATUM

Ultras Vreshtarët kanë përcjellë me vëmendje situatën dhe ne si grup i tifozëve nuk hedhim akuza pa pasur indikacione dhe fakte për këtë. Ne kemi informacione për realizimin e një skenari të tillë në kurriz të qytetarëve të Rahovecit dhe ne këtë nuk do ta lejojmë në asnjë mënyrë.

Ultras Vreshtarët kërkon nga klubi që menjëherë të marrë masa ndaj lojtarëve të lartpërmendur duke kërkuar sqarime për vizitat e tyre të shpeshta në Prizren dhe qëndrimet në kafe me Arbnor Rifatin e lojtarët e tjerë që janë në menaxhim të Rifatit.

Ultars Vreshtarët i japin ultimatum prej 24 orë lojtarëve Deshon Minnis dhe Fred Richardson që të sqarohen për gjithçka dhe të konfirmojnë profesionalizmin e tyre duke dhënë maksimumin ashtu si në të gjitha ndeshjet tjera – në të kundërtën pas përfundimit të ultimatumit nuk do të lejojmë lojtarët e lartpërmendur që të stërviten e as që do të lejojmë që ata të shfaqen në parket – për këtë kërkojmë edhe ndihmën e klubit që të na lehtësohet kjo gjë dhe të mos përfshihemi në ngjarje që do të ishin të pahijshme.

Më mirë të luajnë djemtë tanë vendas me nderë dhe me zemër, se sa lojtarë që janë të përfshirë në manipulime në kurriz të klubit tonë dhe qytetit që aq shumë ka pritur këto ditë.

Nuk na duhen triumfe e as humbje të rrejshme, por djersë, nderë e gjak në parket për fanellën tonë.

Ky është komunikimi jonë i parë dhe i fundit me shkrim për këtë temë.

Masat tjera do të jenë konkrete dhe për këtë do të presim 24 orë që të shpëtojmë sezonin e klubit tonë dhe qytetit tonë pasi janë edhe dy ndeshje përpara gjysmëfinaleve ndaj klubit inferior”.

Image