Beteja Inter – Roma përfundon pa fitues

Beteja Inter – Roma përfundon pa fitues

Sport April 20, 2019 - 22:42
Lexoni më shumë detaje

Përballja mes Interit dhe Romës përfundoi me rezultat 1:1, pasi që asnjëra nga skuadrat nuk e gjeti dot golin e fitores në stadiumin “San Siro” në ndeshjen e zhvilluar në kuadër të xhiros së 33-të të Serisë A.

Interi e priti sonte në San Siro Romën, e cila po shpresonte ta siguronte një fitore për t’ia marrë Milanit vendin e katërt në tabelën e Serisë A. Megjithatë, Interi ia shpëtoi vendin e katërt rivalit të qytetit, pasi që nuk e lejoi Romën t’i marrë tri pikët e ndeshjes, raporton Gazeta Express.

Fillimisht ishte Roma që kaloi në epërsi në minutën e 14-të të ndeshjes, përmes një supergoli të Stephan El Shaarawyt, i cili shënoi nga distanca. Mirëpo, Interi e gjeti golin e barazimit në minutën e 61-të, përmes Ivan Perisicit.

Interi e dominoi plotësisht këtë ndeshje sa i përket posedimit të topit (71% Inter – 29% Roma),  mirëpo e pati vetëm një goditje më shumë se Roma brenda kuadratit të portës.

Dy pikët e humbura nga kjo ndeshje nuk ia rrezikojnë Interin pozitën e tretë, pasi që edhe Milani, që renditet në pozitën e katërt, barazoi sot dhe tani është pesë pikë larg rivalit të qytetit.

Në anën tjetër, Roma e mban ende gjallë shpresën për ta siguruar një vend në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve, pasi që e ka vetëm një pikë më pak se Milani në tabelën e Serisë A.