Vilanova e kishte bindur Messin të qëndronte në Barcelonë gjashtë ditë para vdekjes

Vilanova e kishte bindur Messin të qëndronte në Barcelonë gjashtë ditë para vdekjes

Sport April 26, 2019 - 11:21
Detajet

Gjashtë ditë para se të ndërronte jetë, Tito Vilanova e kishte bindur Lionel Messin që të qëndronte te Barcelona, pasi ky i fundit ishte dekurajuar pas një edicioni të dobët me gjigantin katalonjas dhe kishte menduar të ndryshonte ambient

Barcelona dështoi që të fitonte ndonjë titull në edicionin 2013/2014. Besohet se mjeshtri argjentinas, Lionel Messi ishte duke menduar për opsionet e tij pas një edicioni të pasuksesshëm në Spanjë para se të intervenonte Tito Vilanova.

E përditshmja spanjolle “Marca” shkruan se Vilanova e kishte ftuar Messin në shtëpinë e tij dhe i kishte bërë thirrje që të qëndronte te klubi katalonjas.

Sigurisht, Messi i qëndroi besnik Barcelonës dhe ka fituar 3 tituj të La Ligës deri më tani, derisa gjithashtu triumfoi në Ligën e Kampionëve në vitin 2015.

Të enjten e 25 prillit u bënë pesë vjet nga vdekja e Vilanovas, i cili e humbi luftën e tij me kancerin.

“Gjithmonë me ne”, kishte shkruar Messi në profilin e tij në rrjetin social “Instagram”. Respekt për Vilanovan shprehu edhe presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu. “Kanë kaluar pesë vite prej lamtumirës tënde. Unë të jam gjithmonë mirënjohës për kualitetin tënd njerëzit dhe filozofinë tënde të futbollit, ne gjithmonë do të kujtojmë titullin e ligës me 100 pikë”, ka thënë Bartomeu.

Vilanovan e kanë përkujtuar gjithashtu edhe Sergio Bosquets, Jordi Alba dhe Pedro Rodriguez. “Tito gjithmonë, Tito i përjetshëm”, ka shkruar Bosquets. “Pesë vite pa Titon. Gjithmonë në mendjet tona”, ka shkruar sulmuesi i CHelseat, Pedro. “Na mungon. Gjithmonë me ty”, është shprehur Alba.