Kosova me dy ndihmëstrajnere, janë emra të njohur

Kosova me dy ndihmëstrajnere, janë emra të njohur

Sport April 26, 2019 - 15:22
Detajet

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) në mbledhjen e mbajtur më 25 Prill në Prishtinë e ka emëruar ndihmëstrajnere të Përfaqësueses së Kosovës U16 (Femrat) Saranda Dacin, kurse ndihmëstrajnere të Kosova U20 e ka emëruar Gentiana Ismailin.

Saranda Daci nga Peja aktualisht është basketbolliste e KB Prishtinës me të cilën skuadër është duke luajtur në finalen e play-offit të Ligës së Femrave, ndërsa si lojtare ajo ka shumë trofe të fituar si me Penzën ashtu edhe me Prishtinën. Daci po ashtu është trajnere e KB SutiSport nga Peja. Daci do të jetë pjesë e stafit të Edin Kërveshit, përzgjedhës i Kosova U16, dhe Qëndrim Demit, ndihmëstrajner i parë.

Kosova U16 do të bëjë gara në FIBA Kampionatin Evropian U16, Divizioni B, prej 15-24 gusht në Sofje të Bullgarisë. Vashat tona janë në Grupin C së bashku me Sllovakinë, Kroacinë, Norvegjinë, Izraelin dhe Zvicrën.

Ndërkaq Gentiana Ismaili nga Gjilani është ish-basketbolliste e Dritës së Gjilanit, Kastriotit të Ferizajt dhe Prishtinës. Me këtë të fundit ka disa tituj të kampionit dhe Kupës së Kosovës të fituar. Aktualisht Ismaili është trajnere e shkollës së basketbollit Prishtina Kids. Ismaili do të jetë pjesë e stafit të Fidan Shatrit, përzgjedhës i Kosova U20, dhe Ismet Feratit, ndihmëstrajner i parë.

Përfaqësuesja U20 e Kosovës (Femrat) do të luaj si nikoqire në Prishtinë prej 3 deri më 11 Gusht në FIBA U20 Kampionatin Evropian, Divizioni B, në të cilin do të marrin pjesë 13 shtete: Kosova, Izraeli, Danimarka, Finlanda, Britania e Madhe, Kroacia, Turqia, Greqia, Ukraina, Bullgaria, Rumania, Irlanda dhe Islanda.

Kosova është në Grupin A së bashku me Islandën, Kroacinë dhe Izraelin.

Image