Rënia e Dybalas nën shoqërinë e Ronaldos

Rënia e Dybalas nën shoqërinë e Ronaldos

Sport maj 15, 2019 - 08:23
Detajet

Paulo Dybala ka mbetur i lënë pas dore në sulmin e Juventusit këtë edicion. Argjentinasi i talentuar ka qenë njeriu kryesor i Juventusit gjatë viteve të fundit, por ndryshimet taktike pas ardhjes së Cristiano Ronaldos e kanë lënë nën hije 25-vjeçarin, shkruan sot, gazeta “Zëri”.

Është tejet e vështirë që ndonjëherë ta shohim Cristiano Ronaldon duke luajtur në të njëjtën skuadër me Lionel Messin. Por transferimi i Ronaldos te Juventusi gjatë verë së kaluar na paraqiti në tjetër gjë të bukur: “Superman”-i portugez i kombinuar me pasuesin e Messit, dhjetëshin e ardhshëm të Argjentinës, Paulo Dybalan.

Në fillim të edicionit dyshja postonte fotografi së bashku në qendrën stërvitore të Juventusit, “Continassa”. Dybala dukej shumë i kënaqur më bashkëlojtarin e ri. Tifozët e klubit dhe drejtorët ishin shumë të lumtur me atë që veterani mund ta mësonte të riun në suazat e vazhdueshmërisë, të përqendrimit dhe të përgatitjes.

Pas tetë muajve Ronaldo është “duke fluturuar” në Torino me 28 gola në 42 ndeshje dhe një paraqitje të jashtëzakonshme të tij përballë Atletico Madridit në Ligën e Kampionëve. Por për Dybalan ka qenë një kampanjë acaruese. Aq acaruese, saqë gazeta italiane “Tuttosport” tani raporton se “Zonja e Vjetër” është duke menduar për përforcime në sulmin e ekipit pas eliminimit befasues nga Ajaxi në Ligën e Kampionëve, duke e shitur Dybalan.

Juventusi raportohet se dëshiron ta shesë yllin argjentinas për të mbledhur fonde dhe për ta transferuar njërin prej Joao Felixit, Mauro Icardit, Federico Chiesas ose Mohamed Salahut këtë verë. Nuk ka asnjë problem me Ronaldon, portugezi dhe Dybala kalojnë mirë dhe e respektojnë njëri-tjetrin. “Unë jam me fat që luaj me Lionelin në ekipin kombëtar dhe me Cristianon te Juve. Jo shumë njerëz e kanë këtë mundësi. Unë kam mësuar shumë nga Ronaldo”, kishte thënë Dybala.

Madje ata të dy i përzien mes vete festimet e golave të tyre në fitoren 3:0 ndaj Frosinones në shkurt. Ata të dy shënuan dhe i përzien hedhjen e famshme të Ronaldos në ajër dhe piskamën “Siiiiiiiuuuuu” dhe gjestin në formë të maskës së Dybalas, duke ngritur duart mbi gojë. Dybala i ftoi ndjekësit e tij në rrjetin social “Instagram” që ta quajnë këtë festim të tyre “Siuuuumask”.

Shumica e lojtarëve do të ishin të kënaqur me pesë golat e shënuara të Dybalas në Serie A dhe pesë të tjerat në Evropë. Por Dybala nuk është si të gjithë lojtarët. Ai ka vuajtur që të ketë ndikim të vazhdueshëm në edicionin 2018 - 2019 dhe disa herë kishte mbetur jashtë formacionit të Massimiliano Allegrit.

Allegri nuk e zgjedh Dybalan për çdo ndeshje. Cristiano është i paprekshëm në sulm, Mario Mandzukic është tjetri. Kroati është një luftëtar i madh, njëri prej lojtarëve më punëtorë në ligë, duke ndihmuar mbrojtjen dhe duke vrapuar në të dyja krahët. Sakrifica e tij dhe vrapimi i palodhur e lejon Ronaldon t’i ruajë këmbët e tij 34-vjeçare për kundërsulm ose një spirnt të shpejtë.

Allegri është njëri prej takticientëve më me finesë në futboll dhe titujt e fituar nga ai Torino e shprehin se ai arrin të nxjerrë më të mirën nga lojtarët. Allegri nuk i shtyn lojtarët drejt skemave të tij të preferuara, por e përshtat qasjen për ta. Duket si shumë e njohur, por ka shumë trajnerë të mëdhenj, në të kaluarën dhe në të tashme, që refuzojnë ta bëjnë këtë gjë, përcjell, gazeta “Zëri”.

4-3-3 i këtij edicioni ka qenë i rregullt në “Allianz Stadium”. Mënyra se si e luan Juve nuk është edhe aq ortodokse, me numrin 10 që operon në qendër prapa sulmuesve ose si sulmues i dytë. Ideja është që Ronaldos t’i jepet liria për të bërë çfarë të dojë, por kjo i ka kushtuar Dybalas.

25-vjeçari ka mbetur më larg portës së kundërshtarit këtë vit, që e shpjegon edhe rënien e golave në ligë. Pas 18 paraqitjeve si titullar në edicionin e kaluar ai kishte shënuar 17 herë. Këtë vit ai e ka gjetur vetëm pesë herë rrjetën në 22 ndeshje si titullar në ligë.

Dybala ia ka dorëzuar detyrën për gjuajte të lira Ronaldos, i cili nga statistikat nuk ka impresionuar edhe aq aty. Dybala është një talent i rrallë, një driblues i jashtëzakonshëm, por nuk e ka arritur kulmin këtë stinor.

Marrja e krahut duke u liruar në të djathtën dhe duke gjuajtur me këmbën e tij të majtë nuk ka qenë e shpeshtë në edicionin 2018 - 2019. Dybala është shumë i mirë për të qenë rezervist, por nuk e ka një rol natyral në ekipin aktual të Allegrit.

Për tifozët e Juventusit largimi i Dybalas drejt Anglisë dhe Spanjës është më pak i dhimbshëm tani që Ronaldo është pjesë e tyre.

Favoriti kryesor për nënshkrimin e argjentinasit është Atletico Madridi, ku do të trajtohej si mbret dhe Bayern Munichu, ku kanë qenë yjet latinë si Arturo Vidal dhe James Rodriguez gjatë viteve të fundit. Një tjetër mundësi është shkëmbimi me sulmuesin e Interit, Mauro Icardi. Nuk është sekret që Juve është pas Icardit, por Dybala raportohet se e ka refuzuar mundësinë që t’i bashkohet zikaltërve.

E ardhmja e Dybalas është në duart e tij. Ai ka kohë deri në fund të edicionit për ta bindur Juventusin që ta mbajë. Dyshimet ndaj temperamentit të tij dhe lëvizshmërisë së tij mbesin, por njeriu i njohur si “The Jewell” (Xhevahiri) ende ka kohë për të shkëlqyer./Zëri.info

Image