Besa Famgas - Kastrioti dhe Istogu - Vushtrria, finalet e hendbollit

Besa Famgas - Kastrioti dhe Istogu - Vushtrria, finalet e hendbollit

Sport maj 16, 2019 - 09:28
Detajet

Të mërkurën janë zhvilluar ndeshjet e dyta gjysmëfinale të Superligës së Kosovës në hendboll, në të dyja konkurrencat. Në ndeshjet e para të gjitha skuadrat vendase patën shënuar fitore, duke bërë një hap të madh drejt finaleve, shkruan sot, gazeta "Zëri".

Të meshkujt, ashtu siç është pritur, finalistja e parë është Besa Famgas, e cila pas fitores së parë me rezultat të thellë 39:10 në ndeshjen e zhvilluar në Pejë, ishte fare pranë kalimit në finale, pasi kishte përballë Vëllaznimin, skuadër kjo e cila nuk ishte rival i pejanëve. Besa Famgas ka shënuar fitore edhe në ndeshjen e dytë të zhvilluar në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë me rezultat 37:12, duke kaluar me plot meritë në finale.

Në ndeshjen e dytë gjysmëfinale Prishtina ishte mikpritëse e fituesit të Kupës së Kosovës, Kastriotit. Pas një ndeshjeje me rivalitet të matur, fitorja me rezultat 32:26 i takoi Kastriotit. Për dallim nga ndeshja finale e Kupës së Kosovës, e cila ishte me rivalitet të theksuar, një gjë e tillë nuk ndodhi në ndeshjen e dytë gjysmëfinale që u zhvillua në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, pasi ishin mysafirët ata që gjatë gjithë ndeshjes ishin më të mirë. Ndonëse, në 7 minutat e fundit prishtinasit arritën ta ngushtojnë epërsinë e Kastriotit në vetëm dy gola, kjo nuk mjaftoi që ata të shënojë fitore përballë djelmoshave të trajnerit Verim Zherka, të cilët në fund iu gëzuan fitores me 6 gola epërsi (32:26), duke u kualifikuar për në finale me plot meritë.

Me këtë fitore Kastrioti kualifikohet në finalen e edicionit të sivjetmë ku do të takohet me Besa Famgasin.

Në konkurrencën e femrave Istogu pa vështirësi shënoi fitore edhe në ndeshjen e dytë ndaj Shqiponjës, me rezultat 31:25, duke u kualifikuar në finale, ku do ta synojë trofeun e dytë në këtë edicion, pasi ditë më parë e kishte fituar Kupën e Kosovës.

Në ndeshjen tjetër, Prishtina u përball me Vushtrrinë, ndërsa fitorja me rezultat 24:22 i takoi Vushtrrisë.

Kështu, finalja e femrave do të zhvillohet ndërmjet Istogut dhe Vushtrrisë.

Rezultatet:

Meshkujt

Vëllaznimi - Besa Famgas 12:37

Prishtina - Kastrioti 26:32

Femrat

Shqiponja - Istogu 25:31

Prishtina - Vushtrria 22:24./Zëri.info