Eroll Salihu sqaron dilemat rreth Komisioneve dhe Shoqatave, të cilave iu pushua mandati

Eroll Salihu sqaron dilemat rreth Komisioneve dhe Shoqatave, të cilave iu pushua mandati

Sport maj 16, 2019 - 09:47
Detajet

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës të martën mbajti mbledhjen e vet të radhës nën drejtimin e presidentit Agim Ademi e në të cilën diskutoi për shumë çështje me rëndësi për futbollin e Kosovës. KE-ja analizoi rrjedhën e garave të Kampionatit të Kosovës, përkatësisht javët e fundit dhe konstatoi se garat kanë rrjedhë normale sipas orarit dhe dinamikës së paraparë, shkruan sot, gazeta “Zëri”.

Është konstatim i Komitetit Ekzekutiv se kurrë më parë nuk ka pasur një kampionat ku lufta për kampion dhe për rënie të ketë qenë kaq shumë e paqartë dhe kjo ka bërë që të kemi ndeshje të forta, cilësore e pa kalkulime.

Në mes të tjerash Komiteti Ekzekutiv ka marrë vendim që pas përfundimit të garave të këtij edicioni të pushojë mandatin dhe punën e të gjitha komisioneve dhe shoqatave dhe do të bëjë riformatizimin e tyre para edicionit të ri të garave me qëllim të profesionalizimit të këtyre komisioneve dhe shoqatave në përputhje me kërkesat e kohës dhe në të mirë të futbollit të Kosovës.

Në lidhje me përfundimin e mandatit të komisioneve dhe të shoqatave ka folur sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu.

Në një prononcim për gazetën “Zëri” Salihu ka thënë se një gjë e tillë është pasi komisionet dhe shoqatat në fjalë punojnë me mandate.

“Puna është se u kalon mandati. Të gjitha komisioneve dhe shoqatave u kalon mandati i rregullt. Disa i kanë dy e disa katërvjeçar. Pra nuk ka shkarkim, por vetëm kalim mandati”, tha fillimisht Eroll Salihu.

“Komiteti Ekzekutiv në krye me kryetarin Agim Ademi kanë vendosur ta bëjnë strategjinë e re katër ose pesëvjeçare. Kemi hulumtuar me klubet tona dhe me delegatët. Dhe të gjithë janë për një riformatizim. Jo që këta nuk e kanë kryer detyrën, por thjesht të mos krijohet monopol në vendimmarrje. Kjo nuk do të thotë se personat që kanë qenë deri më tani nuk munden të zgjidhen prapë. Mund të ketë edhe të atillë, por kërkohen njerëz sa më efikas dhe më profesionistë”, u shpreh Eroll Salihu të mërkurën për gazetën “Zëri”./Zëri.info