Interesant po, cilësi jo!

Interesant po, cilësi jo!

Sport May 21, 2019 - 08:15
Detajet

Njohës të futbollit kosovar vlerësojnë së kampionati i sapopërfunduar në Kosovë ka qenë tejet interesant sa i përket garës, ndërsa vlerësojnë se në këtë edicion nuk pati ngritje të cilësisë, shkruan sot, gazeta “Zëri”.

Kampionati në Superligën e Kosovës për edicionin 2018 - 2019 është mbyllur të dielën. Kampion i Kosovës për këtë edicion u shpall skuadra e Feronikelit pas një maratone të gjatë.

Edhe në këtë edicion, sikurse në kampionatin e kaluar, çështja e titullit kampion u vendos në javën e fundit.

Përderisa vitin e kaluar titullin e diskutuan Drita dhe Prishtina dhe në fund fituese doli Drita, në këtë kampionat në xhiron e fundit Feronikeli arriti fitore me rezultat 1:0 ndaj Prishtinës për t’u shpallur kampione. Derisa Prishtina e përfundoi edicionin si nënkampione.

Garë e fortë në këtë kampionat është bërë edhe për mbijetesë. KEK-u dhe Liria e Prizrenit u përshëndetën nga elita, kurse Gjilani e Trepça ’89 do të garojnë në barazh.

Prekazi: Kosova është me fat

Trajneri i mirënjohur kosovar, Rafet Prekazi, i cili është edhe përzgjedhës i Përfaqësueses së Kosovës U-21, e vlerëson me nota maksimale kampionatin. Ai thotë se gara për pozitën e parë ka qenë shumë e fortë.

“Gara ka qenë me rivalitet shumë të madh. Mendoj se Feronikeli ka qenë më gjatë në pozitën e parë dhe e ka merituar titullin kampion”, ka thënë në një prononcim për gazetën “Zëri” të hënën Rafet Prekazi. Prekazi e komentoi edhe cilësinë.

“Mendoj se kemi ngritje të cilësisë, pasi klubet kanë filluar të organizohen më mirë. Por kjo nuk është e mjaftueshme pasi duhet të punojmë shumë për të ardhur në nivele të dëshiruara. Koha po punon për Kosovën, mendoj se duhet paksa kohë që të vijnë në nivelin e dëshiruar”, potencoi Rafet Prekazi.

Sipas Prekazit, Kosova është me fat për një aspekt. “Jemi me fat pasi në vendin tonë ka shumë talente të futbollit dhe kjo mendoj se është përparësi shumë e madhe. Vetëm duhet që klubet të organizohen më mirë”, përfundoi Rafet Prekazi.

Tovërlani: Kampionat interesant dhe rivalizues, cilësi jo

Përfundimin e kampionatit për gazetën e ka komentuar edhe trajneri i suksesshëm i futbollit kosovar, Afrim Tovërlani.

“Timonieri” i njohur si “Toki” vlerëson se ky kampionat ka qenë tejet rivalizues. “Mendoj se ka qenë një kampionat mjaft i mirë dhe rivalizues duke e pasur parasysh që vendosi ndeshja e fundit për titullin kampion dhe për barazhin. Sa i përket barazhit, sipas raporteve të fundit dhe dëshmitarëve, nuk ka qenë gjithçka e pastër dhe korrekte”, vlerësoi Tovërlani.

“Në çdo edicion të Superligës dy ose tri klube janë që po organizohen me vonesë dhe deri diku po e prishin rivalitetin. Sivjet i kemi KEK-un dhe Lirinë. Në anën tjetër, janë disa skuadra që edhe pse investuan shumë si Gjilani, Trepça ’89 pastaj edhe Drita, nuk i realizuan objektivat e tyre. Trepça ’89 mund ta shpëtojë edicionin nëse stoliset me trofeun e Kupës së Kosovës”, vlerësoi trajneri nga Prishtina.

Në pyetjen se a kemi pasur ngritje të cilësisë, Tovërlani vlerësoi se nuk kishte. “Ngritje të kualitetit nuk ka pasur. Shumë transferime nga klubet nuk kanë dalë të qëlluara dhe nuk i kanë arsyetuar shpenzimet që janë bërë. Na duhet shumë punë, por edhe kushte më të mira. U pa në fund se titullin e vendosën lojtarët vendorë”, përfundoi Afrim Tovërlani.

Sermaxhaj: Shqetësuese mbetet cilësia

Përfundimin e kampionatit e ka komentuar edhe ish-futbollisti i mirënjohur kosovar Genc Sermaxhaj. “Kampionati në këtë vit ka qenë shumë interesat, i ngjashëm me vitin e kaluar kur titulli u vendos në ndeshjen e fundit. Duhet të potencoj se e pamë një kampionat interesant, ngase qëndronin ekipet e përafërta me pikë në renditje si për kreun e tabelës, ashtu edhe për rënie. Ndeshjet ishin me shumë interes. Duhet vlerësuar organizimin dhe përpjekjet që kanë bërë ekipet për t’u dukur sa më profesionale dhe gjithsesi kanë lënë vend për përmirësime në edicionet tjera”, ka thënë Genc Sermaxhaj.

Sermaxhaj tha se cilësia në futbollin e Kosovës lë për të dëshiruar. “Ajo që më ka shqetësuar ndër vite është cilësia e futbollit tonë. Me plot përgjegjësi dhe me profesionalizëm e them se në këtë drejtim nuk ka progres dhe për këtë fajtorë jemi vetë ne duke mos i kushtuar vëmendje përmirësimit të lojtarëve dhe zhvillimit të tyre individual në klubet tona. Të mos gënjehemi dhe të mos ia bëjmë qejfin vetes, mirëpo të jemi vetëkritik dhe të vlerësojmë e të punojmë sa më shumë në ngritjen e cilësisë”, potencoi Genc Sermaxhaj, duke e komentuar edhe luftën për titull.

“Gjatë gjithë kampionatit Feronikeli ishte ekip që ka rënë në sy me lojën ofensive, konkrete dhe me plot meritë e ka fituar titullin. Kishte futbollistë edhe në bankë që shumë ekipe nuk i kanë as startues dhe trajneri me qetësi kishte mbajtur në mënyrë racionale formën dhe minutazhin e tyre duke i bërë të kënaqur të gjithë. Prishtina, Llapi dhe Drita kanë qenë ekipet, të cilat kanë pasur lojtarë cilësorë në radhët e veta dhe këto katër ekipe janë dalluar në cilësi”.

Tutje Sermaxhaj tha se befasia e kampionatit ka qenë Ferizaj. “Befasia e kampionatit ka qenë Ferizaj që nga zona e barazhit arriti të përfundojë në pozitën e pestë falë disiplinës taktike të madhe që lojtarët e treguan në stinorin pranveror. Zhgënjyese kanë qenë Trepça ’89 dhe Gjilani, që ndodhen në barazh dhe duhet t’i presin ndeshjet e fundit për ta mësuar fatin e tyre”, përfundoi Genc Sermaxhaj./Zëri.info