Rafet Prekazi thotë se Feronikeli e meritoi titullin, por ai ka një 'selam' për klubet kosovare

Rafet Prekazi thotë se Feronikeli e meritoi titullin, por ai ka një 'selam' për klubet kosovare

Sport May 21, 2019 - 09:30
Detajet

Njohës të futbollit kosovar vlerësojnë së kampionati i sapopërfunduar në Kosovë ka qenë tejet interesant sa i përket garës, ndërsa vlerësojnë se në këtë edicion nuk pati ngritje të cilësisë, shkruan sot, gazeta “Zëri”.

Kampionati në Superligën e Kosovës për edicionin 2018 - 2019 është mbyllur të dielën. Kampion i Kosovës për këtë edicion u shpall skuadra e Feronikelit pas një maratone të gjatë.

Edhe në këtë edicion, sikurse në kampionatin e kaluar, çështja e titullit kampion u vendos në javën e fundit.

Përderisa vitin e kaluar titullin e diskutuan Drita dhe Prishtina dhe në fund fituese doli Drita, në këtë kampionat në xhiron e fundit Feronikeli arriti fitore me rezultat 1:0 ndaj Prishtinës për t’u shpallur kampione. Derisa Prishtina e përfundoi edicionin si nënkampione.

Garë e fortë në këtë kampionat është bërë edhe për mbijetesë. KEK-u dhe Liria e Prizrenit u përshëndetën nga elita, kurse Gjilani e Trepça ’89 do të garojnë në barazh.

Trajneri i mirënjohur kosovar, Rafet Prekazi, i cili është edhe përzgjedhës i Përfaqësueses së Kosovës U-21, e vlerëson me nota maksimale kampionatin.

Ai thotë se gara për pozitën e parë ka qenë shumë e fortë.

“Gara ka qenë me rivalitet shumë të madh. Mendoj se Feronikeli ka qenë më gjatë në pozitën e parë dhe e ka merituar titullin kampion”, ka thënë në një prononcim për gazetën “Zëri” të hënën Rafet Prekazi. Prekazi e komentoi edhe cilësinë.

“Mendoj se kemi ngritje të cilësisë, pasi klubet kanë filluar të organizohen më mirë. Por kjo nuk është e mjaftueshme pasi duhet të punojmë shumë për të ardhur në nivele të dëshiruara. Koha po punon për Kosovën, mendoj se duhet paksa kohë që të vijnë në nivelin e dëshiruar”, potencoi Rafet Prekazi.

Sipas Prekazit, Kosova është me fat për një aspekt.

“Jemi me fat pasi në vendin tonë ka shumë talente të futbollit dhe kjo mendoj se është përparësi shumë e madhe. Vetëm duhet që klubet të organizohen më mirë”, përfundoi Rafet Prekazi./Zëri.info