E fitoi titullin me Partizanin, ka synime të mëdha në Evropë

E fitoi titullin me Partizanin, ka synime të mëdha në Evropë

Sport May 22, 2019 - 08:25
Detajet

Ka 6 vjet që i është bashkuar Partizanit të Tiranës, me të cilin u shpall kampion i Shqipërisë pas plot 26 vjet pritjeje.

Mbrojtësi i djathtë i Partizanit, Labinot Ibrahimi, i kontaktuar nga “Zëri” ka folur për suksesin e arritur në këtë edicion me Partizanin, për bashkëpunimin që ka pasur me bashkëlojtarët, por edhe për paraqitjen e skuadrës së tij në garat eliminatore në Ligën e Kampionëve, shkruan sot, gazeta “Zëri”.

Ish-futbollisti i Prishtinës dhe i Ulpianës në Kosovë, Labinot Ibrahimi, i njohur me nofkën “Labi”, thotë të jetë shumë i kënaqur me ecurinë që ka pasur skuadra e tij në edicionin e sivjetmë.

“Jemi shpallur kampionë me Partizanin për edicionin 2018-2019. Ecuria me Partizanin ka shkuar shumë mirë në të gjitha aspektet, prandaj jo më kot jemi shpallur kampionë të Shqipërisë”, tha në fillim të bisedës për “Zërin” Labinot Ibrahimi.

“Ka 6 vjet që jam pjesë e njërës prej skuadrave më të mira shqiptare, ndërsa për periudhën kohore të kaluar me skuadrën kam shkuar shumë mirë”, shtoi më pas Labi.

Ai tutje tha se skuadra e tij në këtë edicion e ka dominuar kampionatin shqiptar, pasi nga fillimi ka qenë në krye të renditjes, duke u shpallur kampion me plot meritë.

“Në përgjithësi ekipi ka ecur në të gjitha aspektet dhe pikat kryesore të këtij grupi, kanë qenë çunat e bashkuar brenda ekipit, si dhe grinta që kemi pasur gjatë gjithë kampionatit brenda ekipit ka qenë fantastike, gjë e cila na ka bërë shumë të fortë”, saktësoi mbrojtësi Ibrahimi.

Ndërkohë Labi thotë se bashkëpunimi ndërmjet futbollistëve ka qenë i mrekullueshëm.

“Bashkëpunimi me lojtarët e skuadrës sime në këtë vit ka qenë për mrekulli, pasi edhe fituam titullin e kampionit”, shprehet Ibrahimi, duke shtuar se Partizani për të është si shtëpia e tij e dytë.

“Në këtë klub ndihem si në shtëpinë time, pasi këtu ndihem shumë mirë duke e konsideruar Partizanin si shtëpinë time të dytë”, shpreh dashurinë e tij të madhe që ka për ekipin e Partizanit.

Në fund Ibrahimi foli edhe për garat ndërkombëtare që e presin Partizanin, konkretisht në garat eliminatore në Ligën e Kampionëve.

“Në arenën ndërkombëtare shpresoj të shkojë gjithçka mirë dhe me këtë grup të lojtarëve dhe me punën që po bën presidenti, drejtori, por edhe stafi teknik. Besoj se do të arrijmë lart”, tha Ibrahimi, i cili në fund falënderon të gjithë për suksesin e arritur.

“Dua t’i falënderoj të gjithë pa përjashtim për përkrahjen që na kanë dhënë gjatë gjithë vitit, nga presidenti e deri te lojtari ynë i 12-të, që janë Ultras Guerilsat”, tha për “Zërin” Labinot Ibrahimi.

Në javën e fundit (të shtunën) Partizani do të jetë mikpritës i Kukësit, skuadër kjo që është në pozitën e dytë me 55 pikë, përderisa Partizani matematikisht është kampion, pasi kryeson renditjen me 68 pikë./Zëri.info