Vlerësimi interesant i Gani Sejdiut për Ligën Ballkanike në futboll

Vlerësimi interesant i Gani Sejdiut për Ligën Ballkanike në futboll

Sport May 22, 2019 - 09:57
Detajet

Pronari i klubit shqiptar - Shkëndija nga Tetova, e cila u shpall kampione në Maqedoninë e Veriut, Lazim Destani, e ka hedhur idenë e krijimit të një lige ballkanike në futboll. Ideja fillimisht është pëlqyer nga zyrtarë të FFK-së, si dhe nga njohës të futbollit në Kosovë.

Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, trajnerët e mirënjohur kosovarë Ramiz Krasniqi dhe Gani Sejdiu për gazetën “Zëri” thonë se në parim kjo është një ide shumë e mirë, shkruan sot, gazeta “Zëri”.

Pronari i Shkëndijës nga Tetova, Lazim Destani, ka hedhur idenë e krijimit të Ligës Ballkanike në futboll.

Ky propozim vjen pasi “Kuqezinjtë” e Tetovës, nën drejtimin e tij, e kanë fituar për dy vjet radhazi titullin e kampionit në Maqedoninë e Veriut. Shkëndija gjithashtu është fituese e dyfishtë e kupës së këtij vendi.

Shkëndija nuk ka rivalë në garat ku merr pjesë, ndërkohë që në këtë edicion do të marrë pjesë në garat preliminare të Ligës së Kampionëve.

Krijimi i një lige ballkanike do të thotë që klubet nga Maqedonia e Veriut, nga Shqipëria dhe nga Kosova të garonin nën këtë “ombrellë”, përveç vendeve të tjera të rajonit tonë sipas Destanit. “Kisha propozuar që të krijohet një ligë e rajonit tonë. Pse të mos mbahet një ligë, ku do të kishte konkurrentë nga Ballkani? Kjo do të ishte një gjë e mirë”, ka thënë Lazim Destani.

Propozimi erdhi në iftarin e përbashkët, të mbajtur në Tetovë, me rastin e ngritjes së trofeut të kampionit, të dielën. Destani me këtë rast uroi futbollistët, stafin teknik dhe tifozët për suksesin e arritur në kampionatin e Maqedonisë së Veriut.

Pronari i Shkëndijës tha se idenë e tij është mirë ta analizojnë njohësit dhe specialistët e futbollit.

Ndërkaq, në Kosovë e pëlqejnë mjaft shumë këtë ide.

Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, në një prononcim për gazetën “Zëri” thotë se në parim kjo ide po duket mjaft e mirë. “Ka shumë kërkesa të ndryshme në UEFA, ku unë jam pjesë e Komitetit Ligjor. Në parim duket të jetë një ide mjaft e mirë”, theksoi Eroll Salihu të martën për gazetën “Zëri”.

Trajneri i mirënjohur kosovar Gani Sejdiu, i cili drejton Ballkanin në Superligën e Kosovës, thotë se kjo garë do të ishte tejet sfiduese.

“Nuk e di se në çfarë formati është menduar kjo ide, mirëpo do të ishte shumë sfiduese edhe për shikuesit, edhe për të gjithë. Si ide mua po më pëlqen, sepse bëhet më interesante. Në këtë garë do të zgjidhej një kampion shqiptar. Do të ishte një projekt tejet interesant dhe ambicioz”, u shpreh Gani Sejdiu./Zëri.info