Lamtumirë legjendë!

Lamtumirë legjendë!

Sport May 22, 2019 - 12:21
Detajet

Ish-piloti i njohur austriak i Formula 1, Niki Lauda, ka ndërruar jetë të martën në moshën 70-vjeçare. Ai ishte fitues i trefishtë i Kampionatit Botëror të Formula 1.

Kampioni i trefishtë në Formula 1, Niki Lauda, ka ndërruar jetë të martën në moshën 70-vjeçare.

Legjenda austriake, i cili ishte njëri prej figurave më të popullarizuara të garave me makina, i fitoi titujt e ti me Ferrarin në vitet 1975 dhe 1977 dhe me McLarenin në vitin 1984.

Ai gjithashtu do të mbahet mend për shërimin e shpejtë dhe rikthimin në gara, pas një përplasjeje të tmerrshme me makinë në “Çmimin e Madh të Gjermanisë” në vitin 1876 dhe për rivalitetin e tij me pilotin britanik James Hunt.   

E përditshmja angleze “The Telegraph” i ka mbledhur disa prej komenteve të Laudas në momente të ndryshme të jetës së tij, shkruan sot, gazeta “Zëri”.

Lauda për rikthimin e tij në gara vetëm 40 ditë pasi kishte përjetuar lëndime jetëndryshuese në “Çmimin e Madh të Gjermanisë” në vitin 1976

Austriaku përjetoi djegie të shkallës së tretë në kokë dhe në fytyrë dhe dëmtoi mushkëritë e tij pas inhalimit të gazrave toksike në një përplasje të tmerrshme në Nurburgring, por e bëri një rikthim të jashtëzakonshëm në pistë.

Ai përfundoi i katërti në “Çmimin e Madh të Italisë”, me plagët e tij të pashëruara që u mbushën me gjak në fund të garës.

Ai në mënyrë të jashtëzakonshme e mbylli Kampionatin Botëror në vendin e dytë, pas James Huntit.

Në biografinë e tij ai kishte shkruar: “Të qenët i shtrirë në shtrat duke stërmenduar për titullin do të më kishte mbytur. Unë e thashë atëherë dhe më vonë se e kisha mposhtur frikën time shpejt dhe qartë. Ajo ishte një gënjeshtër. Por do të ishte budallallëk të luaja në duart e rivalëve të mi, duke e konfirmuar dobësinë time. Në Monza isha i mbushur me frikë”. 

Lauda për vlerësimin e sinqertë të tij për makinën e parë Ferrari që e kishte vozitur

Lauda do të fitonte dy prej tre titujve të tij Botëror (1975 dhe 1977) me Ferrarin, para se ta vuante atë përplasje që gati e la të vdekur në vitin 1976.

Duke e kujtuar këtë moment për “CNN”, Lauda tregoi mospendesën e zakonshme derisa shpjegonte mendimet e tij për testet e para me Ferrarin, të cilës i ishte bashkuar në vitin 1974.

“Më kujtohet testi im i parë në Fiorano. Unë i vozita disa prej xhirove të para, Enzo Ferrari ishte aty dhe Piero, djali i tij, për të përkthyer. Ferrari tha: ‘Pra djalë, çfarë mendon për këtë makinë?’, unë i thashë që makina ishte katastrofë.

Dhe Piero tha: ‘S’mund ta thuash këtë. Ju s’mund t’i thoni babit tim që makina është katastrofë, sepse ai do t’ju largojë. T’i thuash që nuk është e mirë tingëllon më mirë’. Ai i tha atij dhe plaku u mërzit shumë, sepse unë e kritikova një Ferrari”, ishte shprehur Lauda. 

Lauda për rivalitetin e tij të famshëm me James Huntin

Edhe pse filmi “Rush” i 2013-s i portretizon Laudan dhe James Huntin si dy pilotë që nuk e pëlqenin njëri-tjetrin në fillimet e para të karrierave të tyre,

Lauda e pranoi njëherë se dyshja dilnin së bashku në Londër dhe së në një rast kishte fjetur në banesën e Huntit.

“Por jo së bashku. Ishim katër vetë”, ishte shprehur austriaku.

“Ka pilotë të mirë dhe të këqij dhe pastaj janë ata që janë shumë të talentuar e që janë shumë të vështirë për t’u mposhtur, James ishte njëri prej tyre. Ne e respektonim shumë njëri-tjetrin, sepse në të kaluarën të vozitësh 300 kilometra për orë përkrah njëri-tjetrit afër një kthese, nëse dikush bën ndonjë gabim njëri ose të dy do të vdisnin.

Hunt ishte një njeriu tek i cili mund të mbështeteshe për të qenë preciz, shkruan sot, gazeta “Zëri”.

Lauda për portretizimin e tij nga aktori Daniel Bruhl në filmin e Formula 1 “Rush”

Rivaliteti në gara mes Laudas dhe Huntit u bë i pavdekshëm në vitin 2013 me filmin “Rush”, ku rolin e Huntit e luante Chris Hemsworth dhe rolin Laudas e luante Bruhl.

Lauda kishte vlerësuar se ishte qasur mbi 30 herë përgjatë viteve në mënyrë që të tregonte historinë e tij. Por kjo nuk ndodhi derisa regjisori dhe skenaristi britanik Peter Morgan e kontaktoi atë dhe ai të pajtohej.

“Mua m’u desh ta pyes gruan për Daniel Bruhlin, që të jem i sinqertë. Ajo më tha menjëherë dhe unë u takova me të e më pëlqeu qysh nga fillimi. Ai tha se ishte shumë e vështirë të luante me mua, sepse unë isha ende gjallë dhe se njerëzit e njihnin nga televizioni dhe se e njihnin gjuhën e trupit tim. Mendoj se ai bëri një punë të mrekullueshme, sepse kur e pashë filmin për herë të parë unë thashë: ‘Oh, ky jam me të vërtetë unë’”, kishte thënë ai. 

Lauda për neverinë e tij ndaj trofeve të Formula 1 dhe zgjedhjen e tij për ta shkëmbyer jetën e tij me larjen falas të makinave

Duke folur në 2015-n, pasi britaniku foli kundër trofeut të “Çmimit të Madh të Britanisë”, të cilin e kishte marrë 12 muaj më herët,

Lauda, i cili kishte fituar 25 çmime të mëdha, e bëri të qartë se trofetë nuk ishin më të mirë në kohën e tij.

“Unë pajtohem me të gjitha, ju keni të drejtë, sepse në kohën time shumica prej tyre ishin të shëmtuar dhe të pavlerë për mua. Unë u thashë: ‘nëse më jepni një larje falas për makinën gjatë gjithë jetës sime ju mund t’i mbani të gjitha’ dhe kjo është ajo që bëra. Por ai djali fatkeqësisht vdiq dhe djali i tij po e mbante pikën e karburanteve, por ajo ishte e dëmtuar dhe mbahej keq, kështu që një shok imi shkoi dhe e rinovoi e më pas e morën fëmijët e mi, të cilët e shitën pastaj në ‘eBay’. Tani më duhet ta paguaj (larjen e makinës)”, kishte thënë Lauda./Zëri.info