Ibrahim Dresheviç dhe Ylldren Ibrahimaj - njihuni me dy prurjet e reja nga Bernard Challandes te Kosova

Ibrahim Dresheviç dhe Ylldren Ibrahimaj - njihuni me dy prurjet e reja nga Bernard Challandes te Kosova

Sport May 22, 2019 - 13:25
Detajet

Trajneri i Përfaqësueses së Kosovës, Bernard Challandes ka bërë publike listën e futbollistëve për dy ndeshjet e qershorit në kuadër të eliminatoreve për “Euro 2020”.

Në dy ndeshjet e muajit qershor, Kosova do të luajë kundër Malit të Zi, më 7 qershor në Podgoricë dhe kundër Bullgarisë, më 10 qershor në Sofje, shkruan Zëri.info.

Për këto dy ndeshje, Florent Hadërgjonaj është ftuar për herë të parë pasi javë më parë publikoi vendimin për ta përfaqësuar Kosovën.

Ndërkaq, në Përfaqësuese janë rikthyer edhe Shkëlqim Demhasaj dhe Elbasan Reshani pas paraqitjeve të mira me Luzernin, respektivisht Odd.

Por, e gjithë vëmendja pas publikimit të listës nga ana e Challandes nga shkuar te dy futbollistë.

Bëhet fjalë për Ibrahim Dresheviç, i cili luan në Heerenveen dhe Ylldren Ibrahimaj, i cili luan në Viking, të cilët janë ftuar për herë të parë.

Madje, për këta dy futbollistë nuk kishte pasur asnjë paralajmërim, madje as edhe ndonjë spekulim nga ndonjë medie në vend.

Por, kush janë dy futbollistët, me të cilët Challandes befasoi opinionin sportiv në vend?

Ibrahim Dresheviç është shqiptar i Malit të Zi, që ka lindur në qytetin Fuxerna të Suedisë.

Image

Futbollisti që aktualisht luan në Heerenveen, është 22-vjeçar dhe pozita e tij e preferuar në fushën e lojës është në qendër të mbrojtjes, shkruan Zëri.info.

Megjithatë, ai di mjaft mirë të luajë edhe si mbrojtës i djathtë.

Në Heerenveen, futbollisti shqiptar është transferuar në janar të këtij viti nga klubi suedez, Elfsborg për shumën e 630 mijë funtesh.

Në stinorin pranveror, në kampionatin elitar holandez, Dresheviç është paraqitur në gjashtë ndeshje, por që nuk ka arritur të shënojë apo asistojë.

Në nivel ndërkombëtar, Ibrahim Dresheviç ka përfaqësuar grupmoshat U-17, U-18, U-19 dhe U-20 të Suedisë, por që në nivelin e seniorve, Dresheviç ka vendosur të luajë për Kosovën.

Nga ana tjetër, risia e madhe e radhës e Bernard Challandes për dy ndeshjet e radhës është ftesa për futbollistin Ylldren Ibrahimaj.

Futbollisti shqiptar me nënshtetësi norvegjeze aktualisht luan te klubi i njohur në Norvegji, Viking.

23-vjeçari luan në pozitën e mesfushorit ofanziv, por që mund ta mbulojë mjaft mirë edhe atë të mesfushorit qëndror.

Këtë edicion, Ibrahimaj është paraqitur në nëntë ndeshje me Viking, duke realizuar dy gola, si dhe duke kontribouar te bashkëlojtarët e tij me tre asistime, shkruan Zëri.info.

Image

Në Viking, Ibrahimaj luan që prej janarit të vitit 2018, ku u transferua nga Mjondalen për shumën e 135 mijë funtesh (vlerë e publikuar nga “TransferMarkt”).

Në nivel ndërkombëtar, Ibrahimaj nuk është ftuar deri më tani nga asnjë Përfaqësuese, kurse këtë aventurë do ta nis me “Dardanët”.

Lista e plotë e Kosovës:

Portier: Samir Ujkani, Arijanet Muriqi dhe Visar Bekaj.

Mbrojtës: Amir Rrahmani, Fidan Aliti, Mergim Vojvoda, Florent Hadergjonaj, Benjamin Kololli, Leart Paqarada, Ibrahim Dresheviq dhe Mirlind Kryeziu.

Mesfushor: Herolind Shala, Idriz Voca, Anel Rashkaj, Ylldren Ibrahimaj, Bersant Celina, Florent Hasani, Edon Zhegrova, Elbasan Rashani, Arber Zeneli, Milot Rashica.

Sulmues: Vedat Muriqi, Atdhe Nuhiu dhe Shkelqim Demhasaj./Zëri.info