Ylli i Ajaxit rrëfehet: Kam qarë gjithë natën

Ylli i Ajaxit rrëfehet: Kam qarë gjithë natën

Sport May 25, 2019 - 20:52
Lexoni detajet

Në finalen e Champions League që do të luhet më 1 qershor në “Wanda Metropolitano” do të mungojë Ajax-i i mrekullive, që ka rënë në momentin më të bukur kundër Tottenham. 

Tre golat e Lucas Moura në gjysmëfinalen e kthimit kanë shuar ëndrrat e holandezëve, të cilët janë dorëzuar pasi kanë eliminuar Juventus-in në çerekfinale dhe Real Madrid-in kampion të Europës në 1/8-at. 

Ai që nuk e ka përballuar shumë mirë disfatën me “Spurs” ka qenë mesfushori Dusan Tadic, një nga më të mirët e skuadrës, i cili ka kaluar një natë të tmerrshme në “Johan Cruijff Arena” pas humbjes 2-3. 

ZHGËNJIM – Goli që i dhuroi kualifikimin në finale anglezëve, i shënuar nga Lucas Moura pak sekonda para fundit të takimit, ka qenë shumë i vështirë për t’u gëlltitur nga skuadra dhe tifozët, që ëndërronin të ktheheshin në finalen e Champions League pas 23 vitesh. 

Një natë e ëmbël, e kthyer në makth për lojtarët e Erik ten Hag, siç ka  thënë Dusan Tadic për “Ajax Life”: “Ka qenë një sezon fantastik, oreksi na është shtuar ndeshje pas ndeshje. Ajax e bëri Champions-in emocionues. Meritonim të luanim në finale”. Gjithsesi, ai nuk do të jetë në “Wanda Metropolitano”…

LOT – Goditja ka qenë shumë e rëndë për ish-lojtarin e Southampton, i cili është mbyllur në vetvete pas vërshëllimës së trefishtë të arbitrit: “Kur jam i zhgënjyer, më pëlqen të qaj dhe t’i dorëzohem emocioneve. Në këtë mënyrë mund të nxjerrësh jashtë gjithçka që ke brenda”. 

Mesfushori ka kaluar një natë shumë të keqe pas eliminimit: “Kur jam kthyer në shtëpi, kam dëgjuar pak muzikë melankolike serbe dhe jam ulur në divan. Më pas kam shkuar në krevat. Mendoj seriozisht se kam qarë çdo orë të asaj nate. Jam ndier më mirë vetëm në mëngjes, kur kam parë fëmijët e mi”.  

Nuk do të jetë aspak e lehtë për 30-vjeçarin të shikojë Tottenham-in në fushë kundër Liverpool-it 1 qershorin e ardhshëm, por ai mund të ngushëllohet me dy trofetë e fituar në javët e fundit me Ajax-in. Tadic shpreson që edicioni i ardhshëm i Champions League të mbyllet me një muzikë tjetër. Ndoshta, më pak melankolike… /Telesport/