Letra prekëse e De Rossit për largimin nga Roma

Letra prekëse e De Rossit për largimin nga Roma

Sport May 25, 2019 - 21:27
Lexoni detajet

Daniele de Rossi e ka shkruar një letër prekëse për t’i thënë lamtumirë Romës, pas 18 vjetëve në klubin kryeqytetas italian. Në këtë letër, ai e përmend Francesco Tottin si njërin ndër njerëzit të të cilëve do t’i jetë përjetësisht falënderues.

Klubi i Serisë A e ka konfirmuar se mesfushori 35-vjeçar, Daniele De Rossi, do të largohet këtë verë, kur edhe i mbaron kontrata me Romën, transmeton Gazeta Express.

Ai u bë një ikonë në kryeqytetin italian, ku e ka kaluar të gjithë karrierën e tij si futbollist profesionist deri më tani. Gjatë kësaj periudhe 18-vjeçare, ai i ka regjistruar mbi 600 paraqitje me Romën.

Megjithatë, tani De Rossi do t’i ndajë rrugët me klubin e vendlindjes. Ai ka qenë pjesë e Romës që kur iu bashkua ekipit të të rinjve në vitin 2010. Vetëm Totti, nga i cili e mori shiritin e kapitenit, ka luajtur në më shumë ndeshje për klubin e Serisë A.

“Ju lutem, lejomëni t’i falënderoj të gjithë në Romë që i kam njohur: Familjen Seni dhe presidentin Pallotta. Të gjitha gratë dhe burrat që kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë në Trigoria”, shkruhet në letrën e De Rossit.

“Trajnerët që më kanë formuar, të gjithë ata – pa asnjë dallim – që më kanë mësuar diçka të rëndësishme. Stafi mjekësor që gjithmonë është kujdesur për mua dhe Damianos, pa të cilin unë do të bëja më pak paraqitje për klubin”.

“Bashkëlojtarët e mi, që ishin pjesë e punës që e shijova më së shumti – ata janë familja ime. Rutina ditore, ato kohë në zhveshtore në Trigoria, do të jenë gjërat që do të më mungojnë më së shumti”.

“Bruno, që pa diçka të veçantë te unë dhe më solli në akademinë e mrekullueshme të klubit. Ishte aty, në atë mëngjes të gushtit, që unë e takova për herë të parë Simonen dhe Mancion – kemi qenë miq që nga atëherë dhe do të mbetemi kështu gjatë gjithë jetës”.

“Faleminderit Davide, e di që edhe ti do të jesh gjithmonë përkrah meje, për të gjithë pjesën e mbetur të jetës sime”.

“Faleminderit Francesco. Shiritin e kapitenit, që unë e mbajta, e trashëgova nga krahu i një vëllau, një kapiteni të mrekullueshëm dhe lojtarit më fantastik që e kam parë ndonjëherë me këtë fanellë. Jo të gjithë e kanë mundësinë të luajnë përkrah idhullit të tyre për 16 vjet. Tani, me shumë respekt, do t’ia kaloj këtë shirit Alessandros, një tjetër vëllai, njërit që e di e meriton po aq këtë nder”.

“Faleminderit nënë dhe babi, që m’i mësuat vlerat që i kam mbajtur me vete çdo ditë: të mos i bësh kurrë dikujt diçka që s’dëshiron të të bëhet ty dhe gjithmonë t’u ofrosh ndihmë atyre që janë në vështirësi”.

“Faleminderit Ostias, të gjithë njerëzve aty. Ju ndihmuat të më rritni si fëmijë, më nxitët si adoleshent dhe më mirëpritët prapë si të rritur”.

“Faleminderit të gjithëve që më mbështetën dhe vuajtën me mua brenda mureve të shtëpisë sonë: pa Gaian, Olivian, Noahn dhe veçanërisht Sarahn, unë do të isha vetëm gjysma e njeriut që jam sot”.

“Faleminderit çdo tifozi të Romës, tifozëve të mi. Sot, të paktën, do ta lejoj veten t’iu thërras “tifozët e mi” sepse unë isha njëri prej jush, atje në fushë dhe dashuria që gjithmonë ma keni treguar më ka ndihmuar të vazhdoj. Ju jeni arsyeja pse unë e zgjodha këtë qytet, këtë jetë, herë pas here. E diela do të jetë hera e 616-të që e bëj këtë zgjedhje, zgjedhjen e duhur”.

“Askush nuk do të ju dojë kurrë më shumë sesa unë”.