Barcelona tronditet sërish, Valencia e fiton titullin e Kupës së Mbretit

Barcelona tronditet sërish, Valencia e fiton titullin e Kupës së Mbretit

Sport May 25, 2019 - 22:56
Lexoni detajet

Valencia ka arritur ta fitojë titullin e Kupës së Mbretit, pasi e mposhti Barcelonën me rezultat 2:1 në finalen që u zhvillua sonte në stadiumin “Benito Villamarin” në Sevilla të Spanjës.

Valencia është shpallur kampione e Kupës së Mbretit për të tetën herë në histori, për herë të parë që nga sezoni 2007/08, duke e mposhtur Barcelonën, që i kishte fituar katër edicionet e fundit të këtij turneu.

Kjo disfatë është tronditja e dytë për Barcelonën këtë sezon, pasi që para disa javëve Barcelona ishte zhgënjyese kundër Liverpoolit në Anfield dhe u eliminua nga Liga e Kampionëve. Tani, me këtë disfatë, “Blaugranët” nuk arritën t’i japin fund të lumtur këtij sezoni.

Barcelona, që këtë sezon e fitoi titullin e  La Ligës për herë të dytë radhazi, synonte të thyente rekord duke e fituar trofeun e Kupës së Mbretit për të pestën herë radhazi, megjithatë Valencia ia pamundësoi këtë dëshirë.

Ky sukses i madh i Valencias filloi me golin e shënuar nga Kevin Gameiro në minutën e 21-të, që u përcoll me golin e shënuar nga Rodrigo vetëm 12 minuta më vonë. Barcelona u kthye në lojë në minutën e 73-të, përmes golit të Lionel Messit, mirëpo kjo nuk ishte e mjaftueshme për ta fituar trofeun.

Barcelona e dominoi plotësisht ndeshjen sa i përket posedimit të topit, 77 për qind me 23 për qind, dhe goditjeve drejt portës, 23 për Barcelonën në krahasim me shtatë për Valencian, megjithatë këta të fundit u treguan më të saktë para portës dhe arritën të fitojnë.

Përkundër që Barcelona pësoi disfatë, SofaScore e vlerësoi Lionel Messin me notën më të lartë nga të gjithë lojtarët në fushë, 8.9. Pas tij u radhit Rodrigo i Valencias, me notë 7.8

Me notën më të dobët për këtë ndeshje u vlerësua portieri i Barcelonës, Jasper Cillsessen, i cili u detyrua të luajë në vend të Marc-Andre ter Stegenit të lënduar. Barcelonës i mungoi edhe Luis Suarezi në këtë ndeshje. /Express