Të zhgënjyer dhe befasuar me mosmiratimin e Ligjit për Tatimin e të Ardhurave në Korporata, KOK ka një kërkesë nga deputetët

Të zhgënjyer dhe befasuar me mosmiratimin e Ligjit për Tatimin e të Ardhurave në Korporata, KOK ka një kërkesë nga deputetët

Sport June 20, 2019 - 10:51
Detajet

Mos kalimi i Ligjit për Tatimin e të Ardhurave në Korporata në Kuvend, përkatësisht amendamenti, i cili do t’i jepte rrugë të menjëhershme Ligjit të Sponsorizimit në fushën e Sportit, Kulturës e Rinisë, ka befasuar gjithë komunitetin e sportit, të cilët kanë shprehur zhgënjimin e madh me hezitimin e disa deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Komiteti Olimpik i Kosovës, si institucioni më i lartë sportiv në Kosovë, ka mbetur tej mase i habitur se si një amendament i cili e dërgon përpara zhvillimin e sportit në Kosovë, i cili do të krijonte qindra e mijëra vende të reja të punës, do ta ulte shkallën e informalitetit, e do e ndalte valën e largimit të rinisë nga Kosova, nuk gjeti përkrahjen edhe nga deputetët, të cilët jo rrallë herë dinë të krenohen me arritjet e sportistëve, përcjell Zëri.info.

KOK ka falënderuar të gjithë deputetët që po e mbështesin miratimin e këtij Ligji dhe këtij amendamenti dhe në të njëjtën kohë ju ka bërë thirrje të gjithë deputetëve hezitues që ta mbështesin këtë Ligj dhe këtë amendament, sepse me të do të mbështesin sportistët e Kosovës, do të mbështesin fëmijët e tyre duke i larguar ata nga rrugët devijante.

“Sportistët tanë janë ata që po na bëjnë të lumtur e krenar me rezultatet kulminante, duke e promovuar e lartësuar flamurin dhe Shtetin e Kosovës në gjithë botën, madje edhe në vendet ku deputetëve të Kosovës dhe gjithë të tjerëve iu mohohet edhe hyrja”, shkruan KOK në mes të tjerash.

Tutje, KOK ka rikjtuar se numri i klubeve në Kosovë, në vend se të vazhdon rritjen, nga dita në ditë po e vazhdon rënien, duke bërë që shumë klube, madje edhe ato më me nam të gjejnë shuarjen, në vend të gjetjes së përkrahjes nga sponsorët dhe nga institucionet e Republikës së Kosovës.

Ndërkombëtarizimi i sportit pas luftës ishte synimi më i madh i të gjitha sporteve, ndërsa shumë sosh, detyrohen sot 20 vite pas lufte që shkaku i mos përkrahjes së mjaftueshme financiare, të mos arrijnë të marrin pjesë në gara ndërkombëtare.

Andaj, duke besuar se mos votimi i këtij ligji nga deputetët ishte jo i menduar mirë, KOK i ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që këtë ligj ta votojnë në seancën e radhë dhe kështu me votën e tyre të bëhen pjesë e një zhvillimi të hovshëm të sportit të Kosovës./Zëri.info