Majlinda shpërthen në lot kur tregon se kujt ia dedikoi medaljen e artë

Majlinda shpërthen në lot kur tregon se kujt ia dedikoi medaljen e artë

Sport June 26, 2019 - 23:11
Detajet

E arta Majlinda Kelmendi përplot emocion dhe mes lotësh ka treguar se fitoren e Medaljes së Artë në Minsk të Bjellorusisë ia dedikon një personi të veçantë për të.

Ajo në një intervistë në Zona B të Klan Kosovës ka thënë se këtë fitore ia dedikon familjarit të saj, Labinot Harbuzi.

“Këtë medalje ia kam dedikuar një personi që ka qenë shumë i veçantë për mua. Djali i tezes Labinot Harbuzi, ka qenë futbollist dhe kur kam qene e vogël gjithnjë ato ushtrimet i kemi bërë bashkë …. “

“Ia kam dedikuar atij që na ka lënë para disa muajsh dhe ka qenë shok për gjithë familjen, në veçanti për mua. Kam qenë shumë e lidhur me të”.

“Ka pasur shumë besim në mua dhe qysh kur kam qenë fëmijë gjithnjë më ka thënë se ‘ke me u bo kampione kur të rritesh’. Ka qenë personi i vetëm që më ka thënë ‘duhesh me qenë kampione olimpike, medalja e artë po të pret’. Ka qenë e pabesueshme mënyra qysh ai ka besuar në mua”.

Kelmendi gjithashtu ka diskutuar edhe për rëndësinë e luftërave të saj, në veçanti kur përballet me luftëtare që vijnë nga vendet që nuk e njohin Kosovën.

“Sigurisht që nëse e mendon pak më shumë ose pak më gjatë mund të thuash që është një lloj  presioni. Kam qenë në situatë të tillë edhe me herët. Në këto raste mundohem sa më shumë me mendu vetëm anën sportive. Mos me mendu shumë për Kosovën me çfarë qasje e shohin këtë luftë ose si ndikon në anën politike, sepse nëse do të mendoja në atë formë ngarkesa psikike është shumë më e madhe”.

“E di që sa herë që përballem me luftëtare nga vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, të gjithë e shohin atë luftë. Kam qenë shumë e vetëdijshme në ato momente që krejt shqiptarët e kanë parë atë luftë”.

Ajo deklaroi se ka qenë mjaft e përgatitur për luftimin me rusen Natalia Kuziutina dhe se ishte e vendosur ta çonte luftimin deri në fund.

“Kam pas dozë rezerve nuk kam qenë Majlinda qysh janë mësuar me pa. Kam qenë më e kujdesshme mirëpo në luftën finale kam qenë shumë e motivuar. Lufta ka shkuar siç e kemi pritë”.