Blejnë shumë e shesin pak!

Blejnë shumë e shesin pak!

Sport korrik 12, 2019 - 10:38

 

Ajo që po i shqetëson futbolldashësit në vendin tonë është fakti se derisa klubet tona po sjellin vazhdimisht përforcime dhe po investojnë në lojtarë të huaj, këto klube nuk prodhojnë lojtarë të rinj vendorë, të cilët mund të jenë të vlefshëm edhe për tregun evropian


Në edicionin e kaluar futbolli kosovar sikur u pushtua me futbollistë të ardhur nga jashtë, madje edhe numri i trajnerëve të ardhur nuk ishte hiç i vogël. Pagat e tyre, për kushtet në Kosovë, ishin marramendëse derisa duhet pranuar se rezultatet nuk ishin askund. Mirëpo, ajo që është më shqetësues është fakti se derisa klubet tona po sjellin vazhdimisht përforcime dhe po investojnë në lojtarë të huaj, këto klube nuk prodhojnë lojtarë të rinj vendorë që mund të jenë vlefshëm edhe për tregun evropian, shkruan Zëri.info.

Vetëm gjatë edicionit të kaluar, sipas zyrtarëve të Federatës së Futbollit të Kosovës, janë regjistruar më shumë se 90 lëvizje në Superligën e Kosovës, ndërsa ka arritur ta sigurojë daljen jashtë vendit vetëm një, Festim Alidema, i cili u largua nga Llapi në drejtim të kampionatit kroat. Njohësit e futbollit me të drejtë kanë nisur të shtrojnë pyetje, se cila është arsyeja pse futbolli nuk po mund të nxjerrë lojtarë për tregun evropian? A bëhet fjalë për cilësinë apo për menaxhimin e dobët? Gjithsesi, përgjigjja më e shpeshtë që vjen është menaxhimi i dobët, pasi këtu vërtet ka talente, por duhet dhënë hapësira e duhet ditur se si të menaxhohen ata.

Ka talente, por askush nuk u kushton rëndësi

Trajneri i Përfaqësueses së Kosovës për grup-moshat U17, Gazmend Haliti, i cili njihet si një trajner që gjithë karrierën e tij ia ka kushtuar punës me të rinj, ka thënë se këtu ka shumë potencial, por duhet ndryshuar qasja e punës. “Unë mendoj se në Kosovë ka shumë talente, por realiteti është sepse shumë pak u kushtohet rëndësi grup-moshave të reja”, ka thënë për gazetën “Zëri”, Haliti sipas të cilit kjo edhe është arsyeja që klubet po detyrohen pastaj të blejnë lojtarë nga jashtë, pasi nuk po mund të nxjerrin lojtarë për ekipet e para. “Këtu nevojitet përkushtim më serioz nga klubet, planprograme më afatgjate për punë me grup-mosha të reja, të respektohen më shumë trajnerët që punojnë me të rinj ku me pagat që marrin të mundin ta mbajnë familjet, pastaj duhet të krijohen fonde për të rinjtë dhe përmirësim të infrastrukturës. Këto janë vetëm parakushte për krijimin e futbollistëve profesionalë”, ka thënë Haliti.

Një fakt tjetër që u mungon klubeve kosovare është ekipi B. Skuadrat e mëdha vazhdimisht furnizohen nga ekipi B, aty ku i çojnë talentet të kalitën dhe posa të marrin formën adekuate kyçen në ekipin e parë. “Ekipet B janë shumë të rëndësishme për kalimin e futbollistëve nga U19-shi te ekipi B, ku do t’u jepet mundësia të krijohen si futbollistë profesionalë ose edhe krijimi i një lige me ekipe garuese të ekipeve B nga Superliga e Kosovës”, ka vlerësuar ish-trajneri te Prishtina Gazmend Haliti, duke e komentuar më pas nivelin e lojtarëve që po vijnë nga jashtë në Kosovë. “Ata futbollistë që po vijnë nga jashtë nuk po shihet deri më tash se kanë ndonjë cilësi dhe për kualitete të njëjta, atëherë më mirë është të luajnë talentet nga Kosova, të cilëve përveçqë u sjellin rezultate ata mund të jenë shumë të leverdishëm edhe për tregun evropian”, ka përfunduar Gazmend Haliti.

Plepolli: Për të prodhuar lojtarë së pari duhet të kemi trajnerë të mirë

Ish-futbollisti i mirënjohur kosovar, Arsim Plepolli, assesi nuk pajtohet se në Kosovë ka krizë të futbollistëve të talentuar. Sipas tij, për të nxjerrë në sipërfaqe lojtarë të rinj dhe për treg evropian së pari duhet pasur trajnerë të mirë. “Për të prodhuar lojtarë për tregun ndërkombëtar së pari duhet ta njohim këtë lojën e quajtur futboll dhe të kemi një menaxhim të mirë”, ka thënë Plepolli.

“Lojtarët nuk javë kafshë të qiten në treg dhe të shiten aty për aty. Në Kosovë ka lojtarë që mund të aktivizohen në Evropë, por ka shumë rëndësi prezantimi dhe komunikimi më të. Kemi pasur rastin që kur dikush është interesuar për një lojtar në Kosovë menjëherë kanë filluar të përmenden shifra milionëshe që po shitet, kjo nuk është një reklamë e mirë”, ka përfunduar Arsim Plepolli./Zëri.info