Ka talente, por nuk po u kushtohet rëndësi

Ka talente, por nuk po u kushtohet rëndësi

Sport korrik 12, 2019 - 11:20

Trajneri i Përfaqësueses së Kosovës për grup-moshat U17, Gazmend Haliti, i cili njihet si një trajner që gjithë karrierën e tij ia ka kushtuar punës me të rinj, ka thënë pwr gazetën “Zëri” se këtu ka shumë potencial, por duhet ndryshuar qasja e punës.

“Unë mendoj se në Kosovë ka shumë talente, por realiteti është sepse shumë pak u kushtohet rëndësi grup-moshave të reja”, ka thënë Haliti sipas të cilit kjo edhe është arsyeja që klubet po detyrohen pastaj të blejnë lojtarë nga jashtë, pasi nuk po mund të nxjerrin lojtarë për ekipet e para, shkruan Zwri.info.

“Këtu nevojitet përkushtim më serioz nga klubet, planprograme më afatgjate për punë me grup-mosha të reja, të respektohen më shumë trajnerët që punojnë me të rinj ku me pagat që marrin të mundin ta mbajnë familjet, pastaj duhet të krijohen fonde për të rinjtë dhe përmirësim të infrastrukturës. Këto janë vetëm parakushte për krijimin e futbollistëve profesionalë”, ka thënë Haliti.

Një fakt tjetër që u mungon klubeve kosovare është ekipi B. Skuadrat e mëdha vazhdimisht furnizohen nga ekipi B, aty ku i çojnë talentet të kalitën dhe posa të marrin formën adekuate kyçen në ekipin e parë.

“Ekipet B janë shumë të rëndësishme për kalimin e futbollistëve nga U19-shi te ekipi B, ku do t’u jepet mundësia të krijohen si futbollistë profesionalë ose edhe krijimi i një lige me ekipe garuese të ekipeve B nga Superliga e Kosovës”, ka vlerësuar ish-trajneri te Prishtina Gazmend Haliti, duke e komentuar më pas nivelin e lojtarëve që po vijnë nga jashtë në Kosovë.

“Ata futbollistë që po vijnë nga jashtë nuk po shihet deri më tash se kanë ndonjë cilësi dhe për kualitete të njëjta, atëherë më mirë është të luajnë talentet nga Kosova, të cilëve përveçqë u sjellin rezultate ata mund të jenë shumë të leverdishëm edhe për tregun evropian”, ka përfunduar Gazmend Haliti./Zëri.info