Zyrtare: Fabian Delph largohet nga Manchester City, nënshkruan për Evertonin

Zyrtare: Fabian Delph largohet nga Manchester City, nënshkruan për Evertonin

Sport July 15, 2019 - 22:57
Detajet

Evertoni ka kompletuar transferimin e reprezentuesit anglez Fabian Delph nga Manchester City në një marrëveshje tre-vjeçare e cila do ta mbajë futbollistin në "Goodison Park" deri në verën e vitit 2022.

Mesfushori, i cili iu bashkua Evertonit për një shumë të pazbuluar, i është bashkuar trajnerit Marco Silva dhe skuadrës së tij në kampin përgatitor në Verbier të Zvicrës, raporton Zëri.info.

29-vjeçari i cili mund të luajë në mesfushë si dhe në krahun e majtë të mbrojtjes ishte pjesë e skuadrës së Manchester Cityt, e cila fitoi titullin e Premierligës në dy edicionet e fundit radhazi.

Ai ka bërë 20 paraqitje për Anglinë duke ndihmuar "Tre Luanët" ta arrijnë gjysmëfinalen në Kampionatin Botëror në Rusi si dhe vendin e tretë në Ligën e Kombeve.

"Sa herë që kam luajtur kundër Evertonit, si vendas ashtu edhe si mysafir, e kam ndjerë pasionin e tifozëve", tha fillimisht Delph për "EvertonTV".

"Tifozët e Evertonit e njohin dhe e kuptojnë futbollin. Jam i emocionuar që do të luaj në këtë skuadër dhe unë do ta jap maksimumin tim", shtoi ai./Zëri.info