Rundi i parë i Championsit, ëndërr e pakaluar për klubet kosovare
FOTO: Laura Hasani

Rundi i parë i Championsit, ëndërr e pakaluar për klubet kosovare

Sport July 18, 2019 - 08:11
Detajet

Trajneri i Përfaqësueses së Kosovës U21, Rafet Prekazi, nuk e ka pritur aspak mirë eliminimin e Feronikelit nga skuadra TNS e aq më pak pas rezultatit shumë të favorshëm që e mori në ndeshjen e parë, ku luajti 2:2. Prekazi ka thënë se është koha për punë adekuate, derisa fjalët të lihen anash, shkruan sot, gazeta "Zëri".

E gjithë Kosova të martën në mbrëmje ishte fokusuar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, aty ky futbolli kosovar synonte ta shkruante historinë. Kampioni i Kosovës përballej me skuadrën TNS, ku edhe kërkonte kualifikimin në rundin e dytë të Ligës së Kampionëve, atje ku nuk kishte arritur askush më parë nga Kosova në këto katër vjet sa jemi pjesë e këtyre garave.

Trepça ’89, Drita dhe Feronikeli nuk arritën ta kalojnë as rundin e parë, ndërsa në vitin e parë të pranimit klubet tona nuk u paraqitën në Evropë për shkak të moslicencimit. Kjo edhe ka bërë që analistët dhe trajnerët e futbollit tonë të mos e presin mirë këtë eliminim, pasi sipas tyre futbolli ynë mund të japë më shumë sesa kaq.

Përfaqësuesja e Kosovës tashmë është shndërruar në një rivale shumë të madhe për të gjitha kombëtaret tjera, kjo edhe është një arsye më shumë që tifozët në Kosovë të kërkojnë rezultate më të mëdha edhe nga klubet. Trajneri i Kosovës U21 nuk e ka pritur aspak mirë këtë eliminim. Gjithsesi, të gjithë e kanë parasysh se për të pasur rezultate në arenën ndërkombëtare nuk është lehtë, por assesi nuk pajtohen që ne duhet të jemi skuadra që e diskutojmë vetëm rundin e parë të garave ndërkombëtare.

Të kujtojmë se më herët nga rundi parakualifikues ishte eliminuar Trepça ’89, ndërsa Drita e Feronikeli kanë arritur të jenë pjesë e rundit të parë, por asnjëra nuk mundi të bëjë më shumë. E ngjashëm është situata edhe në Ligën e Evropës, aty ku Prishtina për herë të tretë radhazi e prezanton futbollin tonë, por edhe në këtë garë rezultatet nuk janë aspak të mira.

Rafet Prekazi: Duhet punë, jo fjalë

Trajneri i Përfaqësueses së Kosovës U21, Rafet Prekazi, nuk e ka pritur aspak mirë eliminimin e Feronikelit nga skuadra TNS e aq më pak pas rezultatit shumë të favorshëm që e mori në ndeshjen e parë, ku luajti 2:2. Prekazi ka thënë se është koha për punë adekuate, derisa fjalët të lihen anash. “Talente ka shumë në Kosovë. Koha po punon për futbollin e Kosovës, kështu që duhet punë adekuate e jo vetëm fjalë, profesionalizëm -profesionalizëm”, ka thënë Rafet Prekazi për gazetën “Zëri”, sipas të cilit futbolli ynë meriton shumë më shumë. “Sigurisht që nuk mundemi brenda natës të krijojmë gjithçka. Duhet kohë për të arritur atë që duam, por përveç kohës duhet edhe dije. Po e përsëris, duhet të përqendrohemi te puna adekuate. Të gjithë flasin për profesionalizëm, ndërsa puna po shihet”, ka vlerësuar Prekazi, i cili aktualisht udhëheq Përfaqësuesen e Kosovës U21 dhe ka rezultate të jashtëzakonshme, por ai është i detyruar që vazhdimisht të mbështetet në lojtarët të cilët luajnë jashtë Kosovës.

Dëshpërimi te Feronikeli

Pesha e madhe e ndeshjes kishte bërë që futbollistët e Feronikelit të hyjnë shumë të ngarkuar në fushë përballë TNS-së, kjo edhe u pa në minutat e parë të ndeshjes, ku krijuan disa raste shënimi, por dëshira e madhe për gol bënte që të dështonin nga rastet ideale.

Ish-futbollisti i Prishtinës, Partizanit të Tiranës dhe disa skuadrave të njohura kosovare, Astrit Fazliu, ka thënë se ata e merituan kualifikimin, por ishte përvoja ajo që ndikoi këtë herë. “Ishte një rezultat dëshpërues. Dhamë maksimumin për ta nderuar gjithë Kosovën, por futbolli i ka këto gjëra. Fati nuk ishte në anën tonë, pasi kishim disa raste të mira, ndërsa ata ndëshkuan nga një gjysmërast që patën dhe them se nuk e merituan”, ka thënë Fazliu për gazetën “Zëri”.

Gjithsesi, për “Niklin” kjo nuk është paraqitja e fundit në arenën ndërkombëtare, pasi tash janë pjesë e Ligës së Evropës. “Tash do të fokusohemi në ndeshjet e Ligës së Evropës, ku do të japim maksimumin për të arritur diçka më shumë. Tash pak a shumë kemi një përvojë dhe besojmë se mund t’ia dalim”, ka përfunduar Astrit Fazliu./Zëri.info

Image