Përshtypjet e gazetarit të “La Repubblica”-s në Kosovë

Përshtypjet e gazetarit të “La Repubblica”-s në Kosovë

Sport gusht 14, 2019 - 08:11
Detajet

Gazetari italian Enrico Currò është rrëfyer në një intervistë të gjatë për gazetën "Zëri". Ai ka folur për miqësoren mes Feronikelit dhe Milanit, për futbollin e Kosovës, si dhe për gjasat e Përfaqësueses së Kosovës në eliminatoret e kampionatit evropian “Euro 2020”

Meriton Bytyqi

Ndeshja mes Milanit dhe Feronikelit dështoi për nga numri i tifozëve të pranishëm në stadium, por sa i përket spektaklit dhe seriozitetit të klubit italian gjithçka ishte në nivelin më të lartë, shkruan sot, gazeta "Zëri".

Rrugët që dërgonin në stadiumin “Fadil Vokrri” nuk ishin të mbushura si kur luan Përfaqësuesja e Kosovës dhe vërehej që numri i tifozëve nuk ishte i madh, për shkak të çmimit të lartë të biletave. Por ata që ishin, ishin përgatitur në maksimum me fanella dhe me shalle, ishin nisur për t’i parë yjet, shumë prej tyre për herë të parë.

Milani qëndroi për 12 orë në Kosovë, fitoi 2:0 dhe dhuroi shumë dashuri për tifozët shqiptarë. Në tribunat për medie ishte edhe Enrico Currò, gazetar i “La Repubblica”-s, i cili në shikim të parë dukej i habitur për numrin e vogël të tifozëve në stadiumin “Fadil Vokrri”. Sikur të ishte vetëm kjo, ai shprehu huti edhe për gabimet në protokollin e ndeshjes, ku disa nga futbollistët e Feronikelit kishin numër tjetër në fanellë, e tjetër në protokoll. Gjithë kjo shkaktoi telashe te gazetari italian, i cili kërkoi ndihmën e gazetarëve kosovarë për ta kryer punën e tij.

Enrico Currò pa përtesë pranon pyetjet e një interviste të gjatë nga gazeta “Zëri”. Gazetari nga Italia nuk ka ngurruar të flasë për miqësoren mes kampionit të Kosovës dhe Milanit, për futbollin e Kosovës, si dhe për Përfaqësuesen kosovare.

Zëri: Feronikeli ishte nikoqir i Milanit në një përballje miqësore për herë të parë në histori. Cili është vlerësimi juaj për ndeshjen e zhvilluar të shtunën?

Enrico Currò: Sa i përket ndeshjes, për Milanin ky ishte vetëm një hap përgatitor para fillimit të edicionit të ri në Serie A, që për ta do të fillojë më 25 gusht në Udinese. Giampaolo, trajneri i Milanit, e përdori këtë miqësore si test për ta përmirësuar skuadrën dhe sistemin e tij të lojës 4-3-1-2.

Zëri: Çfarë pëlqyet te skuadra e Feronikelit dhe cili futbollist ju bëri përshtypje?

Enrico Currò: Nuk ishte e lehtë që t’i vlerësoja lojtarët, për shkak se kjo lloj ndeshje me një diferencë të madhe në mes të dyja skuadrave nuk është mënyra më e mirë për t’i kuptuar dhe për t’i vlerësuar lojtarët.

Zëri: Vetëm tre mijë tifozë në tribunat e stadiumit “Fadil Vokrri”. A prisnit më shumë tifozë të shtunën?

Enrico Currò: Natyrisht, por unë e di se çmimet e larta ishin problem për njerëzit, megjithatë vizita e një klubi të madh në Kosovë ishte një sukses.

Zëri: Gjyqtarët që drejtuan miqësoren Feronikeli – Milan ishin nga Kosova. A ishit të kënaqur me vendimet e tyre?

Enrico Currò: Unë nuk kam vërejtur asnjë vendim të çuditshëm ose të gabuar në ndeshjen në fjalë.

Zëri: Çfarë përshtypje la skuadra e Feronikelit te ajo e Milanit?

Enrico Currò: Trajneri Giampaolo dhe futbollistët e Milanit ishin të mahnitur nga forca e tyre fizike dhe nga mënyra se si iu qasën ndeshjes.

Zëri: Si i komentojnë nga Milano tifozët kosovarë?

Enrico Currò: Skuadra e Milanit u ndie e mahnitur nga tifozët kosovarë. Maldini, Baresi dhe Donnarumma ishin tejet të emocionuar.

Zëri: Çfarë duhet të bëjnë skuadrat kosovare që ta arrijnë nivelin e skuadrave në Itali?

Enrico Currò: Mendoj se ata duhet ta përmirësojnë taktikën dhe të jenë profesionalë sa më shumë që është e mundur, madje edhe jashtë fushës. Ky është sekreti i çdo skuadre të madhe.

Zëri: A e keni shikuar Përfaqësuesen e Kosovës dhe a mendoni se do të kualifikohet në kampionatin evropian “Euro 2020”?

Enrico Currò: Unë mendoj se kjo është e mundur, sepse Kosova ka dy rrugë – kualifikimin përmes fazës së grupeve në eliminatore ose fazës “Play-Off”-it në Ligën e Kombeve. Kosova ka një skuadër me shumë talente tani.

Zëri: Cilin futbollist të Kosovës e njihni dhe si është situata e Valon Berishës te Lazio?

Enrico Currò: Unë e njoh Samir Ujkanin, i cili ka luajtur te Pia me Gennaro Gattusonin dhe natyrisht është personi më i mirë që njoh në futboll. Milot Rashica nga ana tjetër është futbollist i mirënjohur për shkak të paraqitjeve të tij me Werder Bremenin. Gjithashtu unë njoh edhe Besar Halimin, i cili është një futbollist shumë i mirë. Sa i përket Valon Berishës, pas rikuperimit të lëndimit ai mund të jetë befasia e këtij edicioni.

Zëri: Gjithashtu Kosova ka edhe mbrojtësin Amir Rrahmanin, i cili kaloi te Hellas Verona në Serie A këtë verë. A mendoni se ai mund të jetë një futbollist krucial për skuadrën italiane këtë edicion?

Enrico Currò: Amir Rrahmani ka një mundësi të madhe për karrierën e tij, sepse Hellas Verona nuk është klub i madh. Pra unë mendoj se ai mund të luajë shumë ndeshje në Serie A duke treguar talentin e tij dhe në edicionin e ardhshëm ndoshta mund ta sigurojë transferimin te ndonjë klub më i fortë./Zëri.info