Ballkani, gati për një superkampionat

Ballkani, gati për një superkampionat

Sport gusht 14, 2019 - 08:21
Detajet

Kanë mbetur edhe katër ditë deri në startin e edicionit të ri në elitën e futbollit kosovar, edicion ky që po pritet me shumë entuziazëm nga adhuruesit e futbollit.

Ejup Llumnica

Ndryshimi në sistemin e garave, si dhe përforcimet e mëdha që kanë bërë klubet tona gjatë këtij afati kalimtar janë arsye të forta për të pritur një superedicion, i cili edhe mund të jetë më joshësi i pasluftës, shkruan sot, gazeta “Zëri”.

Plot katër skuadra bien nga liga, ndërsa tri të tjera shkojnë në Evropë, çka bën të besojmë se konkurrenca do të jetë e jashtëzakonshme. Njëra nga skuadrat që në kampionat do të hyjë me një ndryshim shumë të madh është Ballkani nga Theranda, skuadër kjo që sivjet do të udhëhiqet nga strategu Ismet Munishi.

Munishi në një bisedë për gazetën “Zëri” ka thënë se skuadra që udhëheq ai tashmë është gati për startin e garave dhe mezi po pret ta shohë skuadrën e tij në fushë. “Kemi punuar shumë e jemi përgatitur maksimalisht dhe me shumë besim mund të themi se jemi gati për edicionin e ri, i cili nis këtë fundjavë”, ka thënë Ismet Munishi.

Plot 13 lojtarë të ardhur te ekipi i Ballkanit kanë bërë që Munishi të ketë bukur shumë punë për ta komponuar skuadrën, megjithatë ai beson se ekipi është gati pasi kanë zhvilluar shumë ndeshje kontrolluese.

“Jemi munduar maksimalisht ta komponojmë ekipin. Për këtë shkak kemi zhvilluar rekord të ndeshjeve miqësore, gjithsej 12 sosh, pra vetë për ta komponuar sa më mirë ekipin pasi kemi ndryshuar shumë në kuadrin e lojtarëve dhe në filozofin e lojës”, ka deklaruar trajneri prishtinas i Ballkanit, Ismet Munishi.

Durim Gashi, Arbër Hoxha, Kushtrim Gashi, Edmond Turku, Flamur Gashi, Albin Berisha, Albin Kapra, Egzon Sinani, Artur Magani, Bleon Sekiraqa, Ermal Krasniqi, si dhe dy futbollistë nga Kameruni, Effa Lazare Tristan Dylan dhe Marius Stephane Tatkeu Yimkoua, janë emrat e rinj të skuadrës së Munishit me të cilët Ballkani po shpreson të arrijë te një ndeshje e mirë dhe sigurisht të synojë pse jo edhe trofe.

Ballkani të dielën që vjen do ta ketë testin e parë serioz ku do të ndeshet me të rikthyerin në elitë, Dukagjinin e Klinës, sfidë kjo që luhet në Klinë dhe ka bërë bukur shumë përforcime. “Dukagjini ka bërë ndryshime në skuadër dhe me plot meritë ka arritur të bëhet anëtar i Superligës. Kjo skuadër meriton respekt dhe objektivi ynë është të mos mposhtemi në atë ndeshje”, ka përfunduar Ismet Munishi.

Të kujtojmë se Munishi Ballkanin e mori para dy muajsh, periudhë kjo e mjaftueshme për ta kuptuar organizimin e kësaj skuadre dhe objektivat që mund t’i ketë, kështu që me të drejtë pritet që Ballkani këtë vit të jetë arrë e fortë për çdo kundërshtar dhe assesi të mos e vërë në diskutim ekzistencën./Zëri.info