“Ushtarët e besuar” të Juventusit u kthyen… në rebelë

“Ushtarët e besuar” të Juventusit u kthyen… në rebelë

Sport gusht 14, 2019 - 08:26
Detajet

Ndonëse pak vite më parë futbollistët si Paulo Dybala, Mario Mandzukic dhe Gonzalo Higuain konsideroheshin të papkrekshëm te Juventusi, sot klubi bardhezi dëshiron t’i ndajë rrugët me ta. Megjithatë, një gjë e tillë po refuzohet nga futbollistët, shkruan sot, gazeta "Zëri".

Në verën e vitit 2015, drejtuesit e Juventusit kërkonin të ngritnin moralin e tifozëve pas zhgënjimit në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Barcelonës. 

Klubi futi ‘duart thellë në xhepa’ dhe solli në skuadër dy emra të rëndësishëm - njëri me perspektivë të lartë si Paulo Dybala dhe tjetrin me shumë eksperiencë ndërkombëtare, fitues i Ligës së Kampionëve me Bayern Munich në vitin 2013, Mario Mandzukic.

Menjëherë, të dyja afrimet u shndërruan në idhuj të tifozërisë, por edhe dy ndër “ushtarët e besuar” të trajnerit Massimiliano Allegri, aq sa kroati pranoi të sakrifikohej edhe në korsinë e majtë të sulmit, shumë larg rolit të tij ideal. 

Nëse Mandzukic në dy edicionet e para realizoi 24 gola, Dybala tregoi se i meritonte 42 milionët e paguara për të, duke shpërblyer çdo milion të kartonit me nga një gol (42 gola në dy edicionet e para).

Por, oreksi sa vinte e shtohej dhe në qershor 2016, pasi kishin festuar titullin e pestë radhazi, “Zonja e Vjetër” i shtoi një tjetër “snajper” sulmit, duke paguar 90 milionë për Gonzalo Higuainin. 

“Pipita” dhe Dybala menjëherë u projektuan si dyshja e ëndrrave, që duke i shtuar edhe Mandzukicin në krah, frikësuan së tepërmi Evropën. 

Madje, që në edicionin e parë, edhe mund ta kishin pushtuar, sepse pasi konfirmuan diktaturën e tyre në Serinë A arritën edhe në finalen e Ligës së Kampionëve, por Real Madridi u tregoi bardhezinjve se nuk ishin ende gati për fronin evropian.

Gjithsesi, Dybala e Higuain nuk u dorëzuan, ndërsa Mandzukic për shpirtin e tij luftarak që tregonte në çdo ndeshje u bë njeriu më i dashur i tifozërisë së Juves, ndonëse goleadorët ishin dy të tjerët. 

Shndërrimi në rebelë

Mes qershorit 2016 dhe majit 2018, dyshja Dybala-Higuain dukej ajo që u nevojitej, sepse të dy së bashku, edhe pse realizuan më shumë se 100 gola, papritur sivjet e panë veten të shndërroheshin në dy barra të rënda për klubin. 

Madje, Higuainit iu tregua dera që në edicionin e kaluar, kur fillimisht u transferua te Milani dhe më pas bëri 6 muaj huazim edhe te Chelsea, por rikthimi në Torino i tregoi se tifozët e donin ende, ashtu sikurse Dybalën, por gjithashtu edhe Madzukicin.

Por kjo ndjenjë nuk prekte aspak drejtuesit e Juventusit që nga dita e parë e hapjes së afatit kalimtar së kësaj vere, ata kërkuan me çdo mënyrë që t’i shisnin – marrëveshje e dyfishtë me Manchester Unitedin për Dybala dhe Mandzukic, që u hodh në erë nga refuzimi i dy lojtarëve; marrëveshje prej 70 milionësh me Totenhemin, që sërish Dybala e refuzoi. 

Edhe Higuain kërkon të mbetet në Torino.

Ka shtyrë në shumë raste Romën (ofron 34 milionë) dhe kërkon të qëndrojë me forcë, ashtu si Paulo dhe Mario, lojtarë që pas përfundimit të epokës “Allegri”, papritur u shndërruan nga “ushtarë të besuar” në rebelë. 

Ata kërkojnë me çdo kusht një tjetër shans, një tjetër bast personal për të fituar, ndoshta edhe si rrjedhojë e shpresave që ushqen Cristiano Ronaldo për trofeun e ‘mallkuar’ të Ligës së Kampionëve./Zëri.info