Dita e finales së Stambollit mes Liverpoolit dhe Chelseat, Shaqiri me shokë synojnë 'pushtimin' e Evropës

Dita e finales së Stambollit mes Liverpoolit dhe Chelseat, Shaqiri me shokë synojnë 'pushtimin' e Evropës

Sport gusht 14, 2019 - 08:54
Detajet

Superkupa e Evropës do t’i vë në fushë kundër njëra-tjetrës dy skuadra angleze, ku Liverpooli është kundërshtari i Chelseat në Stamboll.

Liverpooli hyn në ndeshje si fitues i Ligës së Kampionëve që mposhti Tottenhamin me rezultat 2:0 në finalen e qershorit, derisa Chelsea e mposhti 4:1 Arsenalin për ta fituar Ligën e Evropës, shkruan Zëri.info.

Kur zhvillohet ndeshja Liverpool – Chelsea?

Kompeticioni: Superkupa e Evropës

Vendi: “Vodafone Park”, Stamboll

Data: E mërkure, 14 gusht

Ora: 21:00

Superkupa e sotme do të jetë hera e 183-të që këto dy skuadra përballen dhe e 11-ta herë në kompeticionet e UEFA-s.

Liverpooli mban avantazh të përgjithshëm ndaj Chelseat, duke pasur 78 fitore, kurse Chelsea ka 63 sosh.

Ndërkaq, nëse flasim vetëm për ndeshjet evropiane, atëherë Chelsea ka tre fitore dhe pesë barazime.

Për herë të parë nga viti 2013, nuk do të ketë asnjë skuadër spanjolle në Superkupën e UEFA-s.

Në vitin 2013, Chelsea ishte pjesë e këtij kompeticioni por që u mposht nga gjermanët e Bayern Munich vetëm pas ekzekutimit të penalltive.

Në fundjavën e kaluar ka filluar edhe edicioni i ri në Premierligën angleze, ku Liverpooli e nisi me stil kampioni duke mposhtur Norwich Cityn me rezultat bindës 4:1.

Nga ana tjetër, Chelsea pësoi debakël nga Manchester Unitedi në “Old Trafford” duke u mposhtur me rezultat të thellë 4:0.

Image

Sa i përket njeriut që do ta ndajë drejtësinë, këtë do ta bëjë një femër duke e shkruar kështu historinë.

Për herë të parë, një finale e UEFA-s do të jetë e drejtuar nga një femër.

Gjyqtarja franceze Stephanie Frappart do ta ndajë drejtësinë në Stamboll, derisa do të ndihmohet nga Manuela Nicolosi dhe Michelle O’Neill, derisa gjyqtari turk Cuneyt Cakir do të jetë gjyqtari i katërt.

Liverpoolit në këtë ndeshje do t’i mungojë portieri kryesor Alisson Becker shkaku i lëndimit, derisa ai do të zëvendësohet nga spanjolli Adrian.

Image

Mungesa tjera nuk ka, derisa mesfushori nga Kosova Xherdan Shaqiri pritet të luajë vetëm nga banka rezervë.

Nga ana tjetër, Chelsea shpreson që N’Golo Kante të luajë nga minuta e parë pasi në derbin e së dielës luajti vetëm nga pjesa e dytë./Zëri.info

Image