Gazetari italian me një vlerësim interesant për miqësoren Feronikeli - Milan

Gazetari italian me një vlerësim interesant për miqësoren Feronikeli - Milan

Sport gusht 14, 2019 - 10:30
Detajet

Gazetari italian Enrico Currò është rrëfyer në një intervistë të gjatë për gazetën "Zëri". Ai ka folur për miqësoren mes Feronikelit dhe Milanit, për futbollin e Kosovës, si dhe për gjasat e Përfaqësueses së Kosovës në eliminatoret e kampionatit evropian “Euro 2020”, shkruan Zëri.info.

Ndeshja mes Milanit dhe Feronikelit dështoi për nga numri i tifozëve të pranishëm në stadium, por sa i përket spektaklit dhe seriozitetit të klubit italian gjithçka ishte në nivelin më të lartë.

Rrugët që dërgonin në stadiumin “Fadil Vokrri” nuk ishin të mbushura si kur luan Përfaqësuesja e Kosovës dhe vërehej që numri i tifozëve nuk ishte i madh, për shkak të çmimit të lartë të biletave. Por ata që ishin, ishin përgatitur në maksimum me fanella dhe me shalle, ishin nisur për t’i parë yjet, shumë prej tyre për herë të parë.

Milani qëndroi për 12 orë në Kosovë, fitoi 2:0 dhe dhuroi shumë dashuri për tifozët shqiptarë. Në tribunat për medie ishte edhe Enrico Currò, gazetar i “La Repubblica”-s, i cili në shikim të parë dukej i habitur për numrin e vogël të tifozëve në stadiumin “Fadil Vokrri”. Sikur të ishte vetëm kjo, ai shprehu huti edhe për gabimet në protokollin e ndeshjes, ku disa nga futbollistët e Feronikelit kishin numër tjetër në fanellë, e tjetër në protokoll. Gjithë kjo shkaktoi telashe te gazetari italian, i cili kërkoi ndihmën e gazetarëve kosovarë për ta kryer punën e tij.

Enrico Currò pa përtesë pranon pyetjet e një interviste të gjatë nga gazeta “Zëri”. Gazetari nga Italia nuk ka ngurruar të flasë për miqësoren mes kampionit të Kosovës dhe Milanit, për futbollin e Kosovës, si dhe për Përfaqësuesen kosovare.

Fillimisht, ai ka folur për rëndësinë e kësaj miqësoreje, duke thënë se ishte një përgatitje e mirë për Milanin para nisjes së edicionit të ri në Serie A.

“Sa i përket ndeshjes, për Milanin ky ishte vetëm një hap përgatitor para fillimit të edicionit të ri në Serie A, që për ta do të fillojë më 25 gusht në Udinese. Giampaolo, trajneri i Milanit, e përdori këtë miqësore si test për ta përmirësuar skuadrën dhe sistemin e tij të lojës 4-3-1-2”, tha fillimisht Enrico për gazetën “Zëri”.

Duke qenë se ishte vetëm miqësore, gazetari italian thotë se nuk e kishte të lehtë t’i vlerësonte futbollistët e Feronikelit.

“Nuk ishte e lehtë që t’i vlerësoja lojtarët, për shkak se kjo lloj ndeshje me një diferencë të madhe në mes të dyja skuadrave nuk është mënyra më e mirë për t’i kuptuar dhe për t’i vlerësuar lojtarët”, vlerësoi ai./Zëri.info