KOK-u nënshkruan kontratë sponsorizuese për përmirësimin e shëndetit të sportistëve

KOK-u nënshkruan kontratë sponsorizuese për përmirësimin e shëndetit të sportistëve

Sport August 22, 2019 - 23:50
Detajet

Në vazhdën e nënshkrimeve të kontratave me sponsorë, pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Sponsorizim, Komiteti Olimpik i Kosovës sot ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi me Kompaninë Physio Miracle, e cila ofron shërbime fizioterapeutike dhe mjekësi sportive.

Kontrata e vlefshme një-vjeçare, por me mundësi vazhdimi, u nënshkrua në zyret e KOK-ut, nga presidenti i KOK-ut, Besim Hasani dhe drejtori i Physio Miracle, Bernard Tahirbegolli.
Presidenti Besim Hasani deklaroi se kontrata parasheh që tani e tutje sportistët elitarë, bursistët Olimpikë dhe Shpresat Olimpike 2019, të mund të kryejnë kontrollet në këtë qendër.

“Është një lajm i mirë për KOK-un dhe sportistët e Kosovës, pasi në vazhdën e përpjekjeve tona për gjetjen e sponsorëve të rinj, që janë në funksion të përmbushjes së objektivave strategjike të KOK-ut, jemi takuar me kompaninë Physio Miracle, një kompani e re, por me ambicie shumë të mëdha dhe një organizatë e pajisur me mjete shumë të sofistikuara, që janë në funksion të përmirësimit të shëndetit të sportistëve. Kështu që, KOK-u ka vendosur të nënshkruajë një marrëveshje bashkëpunimi, dhe ndihemi mirë që sot po e nënshkruajmë këtë kontratë”, theksoi ndër të tjera presidenti Hasani.

I pari i Lëvizjes Olimpike në Kosovë, Besim Hasani, ftoi të gjithë sportistët elitarë, që testimet tash e tutje t’i bëjnë në Physio Miracle, e cila do të përkujdeset në maksimum për përmirësimin e shëndetit dhe performancën e sportistëve.
Nga ana e tij, drejtori i Physio Miracle, Bernard Tahirbegolli, shprehu kënaqësinë e fillimit të bashkëpunimit me KOK-un dhe sportistët elitarë.

“Ne jemi të nderuar që na keni dhënë mundësinë që edhe ne të kontribuojmë me punën tonë me atë që dimë të bëjmë më së miri, të përkujdesemi për shëndetin, të parandalojmë lëndimet sportive dhe të kontribuojmë në ngritjen e performancën sportive. Jemi mirënjohës për mundësinë dhe shprehim gatishmërinë që kjo kontratë të bëhet afatgjate”, u shpreh drejtori Tahirbegolli.

Në ditët e ardhshme, KOK-u pritet të nënshkruajë kontrata sponsorizimi edhe me kompani tjera.