Van Dijk: Bota di të jetë shumë mizore

Van Dijk: Bota di të jetë shumë mizore

Sport August 23, 2019 - 09:09
Detajet

Mbrojtësi i Liverpoolit, Virgil van Dijk e pranon se nuk pret që të bëhet trajner pasi të ndalojë së luajturi futboll, duke u shprehur se bota di të jetë shumë mizore, transmeton zeri.info

28-vjeçari është në formën më të mirë në karrierë momentalisht dhe është në mesin e favoritëve për të fituar “Topin e Artë” këtë vit pasi e ndihmoi Liverpoolin që ta fitojë Ligën e Kampionëve në edicionin e kaluar.

I njohur për qetësinë dhe pozicionimin e mirë, Van Dijk duket se posedon gjithçka të nevojshme për të qenë i suksesshëm si trajner, por vetë lojtarit nuk i pëlqen më kjo ide. “Në fillim të karrierës mendoja se mund të bëhesha trajner, por në këtë pikë nuk mendoj se do të bëhem trajner”, ka deklaruar Van Dijk për “Optus Sport”.

“Bota di të jetë shumë mizore, ka shumë njerëz që kanë mendimet e tyre dhe kjo mund të ndikojë te ju – nëse mund të zgjidhni është më mirë që të mos jeni në situata të tilla. Por, padyshim që mendoj të përfshihem në futboll. Nuk do të jem analist sepse duhet të thoni disa gjëra të cilat nuk doni t’i bëni, por detyroheni. Do të shohim. Mendoj se kam një sy të mirë për të vërejtur talente, kështu që ndoshta do ta bëj një gjë të tillë”, u shpreh reprezentuesi holandez.

Pasi iu bashkua Liverpoolit nga Southamptoni në vitin 2018, Van Dijk shpejt është kthyer në lojtarin më të dashur të tifozëve dhe është i vendosur që ta shpërblejë këtë adhurim me më shumë suksese.

“Të gjithë që luajnë për Liverpoolin gjithmonë qëndrojnë në familjen Liverpool. Unë jam shumë i lumtur që tashmë jam mirëpritur në familjen LFC. Unë jam pjesë e historisë pasi fitova Ligën e Kampionëve dhe shpresoj që të vazhdojmë të bëjmë histori. Më shumë se kaq unë dua të kujtohem si një lojtar fantastik që dha gjithçka për skuadrën dhe të shijoj çdo pjesë të saj”, tha ai./Zëri