Izair Emini: Futbolli i Kosovës shumë joshës, jam i lumtur që jam këtu

Izair Emini: Futbolli i Kosovës shumë joshës, jam i lumtur që jam këtu

Sport August 24, 2019 - 11:36

 

Ejup Llumnica

Njëri nga përforcimet më të mëdha që ka zbritur këtë vit në futbollin kosovar, pa asnjë dyshim është Izair Emini. Ai këtë afat kalimtar i është bashkuar skuadrës së Dritës pas një periudhe të mirë që kishte te kampionët e Maqedonisë së Veriut, saktësisht te Shkëndija e Tetovës. Emini, i cili në karrierën e tij ka veshur edhe fanellën e skuadrës së madhe shqiptare Kukësi në Shqipëri, në një bisedë për gazetën “Zëri” ka thënë se pas eksperiencave që kishte në Maqedoni dhe në Shqipëri është shumë i lumtur që CV-ja e tij po plotësohet edhe me një kampionat tjetër shqiptar, atë të Kosovës.

33-vjeçari i lindur në Tetovë, që në të kaluarën ka luajtur edhe për skuadrën e Renovës, startin në kampionatin kosovar nuk do ta mbajë mend edhe aq pozitiv, pasi me Dritën debutoi me humbje para tifozëve të vet, gjë e cila solli zhgënjim në skuadrën e Anamoravës.

Megjithatë për mesfushorin ofensivë gjërat në vazhdim do të përmirësohen, pasi Drita ka potencial të madh.

“Nuk e nisëm si duhet kampionatin ose më saktë nuk e nisëm ashtu siç dëshironim, sepse e dinim potencialin e skuadrës tonë. Normal kur pritshmëritë i ke të mëdha edhe humbja dhemb më shumë, por gjithsesi është fillimi i kampionatit, kemi kohë për të rikuperuar në vazhdim”, ka thënë për gazetën “Zëri” Izair Emini, duke dhënë detaje se pse Drita u mposht në takim me Ferizajn.

“Unë nuk mendoj se ajo humbje ka të bëjë me ditë të keqe, por thjesht fati sportiv nuk ishte në anën tonë. Besoj se nga ndeshja e ardhshme do të vijnë gjërat në vendin e duhur, sepse besojmë në kualitet tona”, vlerësoi futbollisti shqiptar, duke folur më pas edhe për nivelin e futbollit që luhet në Kosovë. “Është një kampionat, i cili duhet të vlerësohet në maksimum pasi ka skuadra me lojtarë shumë të mirë dhe kjo e bën kampionatin të jetë me konkurrues”, tha ish-futbollisti i Shkëndijës, i cili po beson se me këtë ritëm që është duke vazhduar futbolli në Kosovë në të ardhmen do të ketë shumë yje këtu.

“Është shumë normale të priten emra të mëdhenj në kampionatin e Kosovës. Gara këtu është në ngritje derisa edhe sponsorët janë shumë korrektë. Kjo gjë është shumë domethënëse dhe unë pres që futbolli këtu çdoherë e më shumë të ketë ngritje”, ka përfunduar Izair Emini./Zëri.info

Image