Kosova në Itali e kërkon kualifikimin në Evropian

Kosova në Itali e kërkon kualifikimin në Evropian

Sport September 15, 2019 - 14:56

Pas paraqitjes në fazën e dytë të eliminatoreve për “Euro 2020”, Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll (meshkujt) do të garojë në kualifikimet për Kampionatin Botëror që në vitin 2021 mbahet në Egjipt. Shorti i tërhequr në korrik ka caktuar që Kosova të garojë në grupin 3 së bashku me Italinë, Rumaninë e Gjeorgjinë. Vetëm fituesi i grupit kualifikohet në fazën e plejofit.

Federatat e kombëtareve që bëjnë pjesë në grupin 3 janë pajtuar që gara të zhvillohet në formë turneu. Përmes shortit është caktuar që turneu i grupit tonë të organizohet në Itali. Është vendosur që turneu të organizohet në javën e dytë të muajit janar të vitit të ardhshëm.

Kështu djemtë e Kosovës në Itali do të kërkojnë të bëjnë hapin tjetër para. Ekipi tashmë është kompletuar, ka konkurrencë në të gjitha pozitat, ndërsa konkurrenca pritet të forcohet edhe më shumë në të ardhmen.

Në fazën e dytë të eliminatoreve për “Euro 2020”, Kosova arriti rezultate historike. Fillimisht e mposhti Izraelin me rezultat 27:24 e më pas barazoi 23:23 me Poloninë, në ndeshjen të cilën e dominoi plotësisht.

Në Itali, Kosovës do t’i duhet të fitojë grupin për të kaluar në plejof. Më pas në plejof luhen dy ndeshje me një kundërshtar dhe fituesi kualifikohet në Botëror.