Ahmet Haliti lavdëron Gjilanin, por i tregon çka e pret në “Fadil Vokrri”

Ahmet Haliti lavdëron Gjilanin, por i tregon çka e pret në “Fadil Vokrri”

Sport September 21, 2019 - 10:28

Prishtina e Gjilani të dielën nga ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, do të ballafaqohen ndërmjet vete në kuadër të javës së 6-të të Ipko Superligës. Gjilani vjen si lider në kryeqytet, derisa Prishtina në këtë sfidë hynë pas fitores në Mitrovicë, ndaj Trepçës’89 dhe ndeshjen ndaj Gjilanit sikur e ka të domosdoshme ta fitojë, shkruan Zëri.info.

Kështu mendon edhe mbrojtësi i Prishtinës, Ahmet Haliti, i cili e pranon se skuadra ndihet paksa e liruar nga presioni, pas asaj fitoreje në mesjavë ndaj Trepçës ’89. Gjithsesi ai ballafaqimin me Gjilanin e cilëson si shumë të vështirë, por zgjidhje përveç fitores nuk kanë.

“Mendoj që do të jetë një ndeshje mjaft e vështirë, pasi Gjilani vjen pas një serie shumë të mirë të rezultateve dhe ka një skuadër mjaft të mirë me emra të njohur në futbollin tonë dhe atë shqiptar, të cilët kanë një përvojë të madhe dhe cilësi shumë të mira individuale, kështu që duhet të kemi shumë kujdes. Ne duhet t’i qasemi takimit me shumë qetësi dhe të mos na kapë euforia, kështu që përmes lojës së bukur shpresoj që të arrijmë te një rezultat pozitiv, i cili për neve është shumë i rëndësishëm në këto momente”, ka thënë Haliti, duke shtuar se skuadra është duke e përgatitur maksimalisht mirë këtë ndeshje, pasi e dinë vlerën e saj. “Jemi duke u përgatitur maksimalisht, sepse e dimë rëndësinë e ndeshjes. Ne i dimë cilësitë tona dhe forcën tonë ekipore dhe atë individuale, kështu që besojmë te një rezultat pozitiv, i cili në këto kushte në të cilat gjendemi është vetëm fitorja”, ka thënë Haliti për gazetën “Zëri”.

Në anën tjetër tabori gjilanas, saktësisht kapiteni Ylber Kastrati, para ndeshjes ka preferuar heshtjen, duke mos u deklaruar për medie.