Rritja e kapaciteteve në ‘Fadil Vokrri’, gjendja e stadiumit ‘Adem Jashari’ dhe pasojat e neglizhencës së instuticioneve përkatëse, rrëfehet zyrtari i FFK-së

Rritja e kapaciteteve në ‘Fadil Vokrri’, gjendja e stadiumit ‘Adem Jashari’ dhe pasojat e neglizhencës së instuticioneve përkatëse, rrëfehet zyrtari i FFK-së

Sport tetor 08, 2019 - 10:49
Detajet

Interesimi i madh i tifozëve për t’i shikuar ndeshjet e Përfaqësueses së Kosovës ka bërë që të mendohet edhe rritja e kapaciteteve të stadiumit ‘Fadil Vokrri’.

Përveç kësaj, është përfolur edhe për rinovimin e stadiumin ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë, i cili është neglizhuar tejmase, raporton Zëri.info.

Momentalisht, Përfaqësueset zingjirë të Kosovës kanë vetëm stadiumin ‘Fadil Vokrri’ për zhvillimin e ndeshjeve dhe kjo e bën tejet të vështirë.

Gjithashtu, edhe tre skuadrat e Superligës së Kosovës që do të luajnë në Evropë edicionin e ardhshëm mund të zhvillojnë ndeshje vetëm në këtë stadium.

Vështirësitë e gjithë kësaj i ka komentuar zëvendës-sekretari i FFK-së Arjanit Ahmeti, i cili ka paralajmëruar se mund të ketë pasoja.

“Të them të drejtën, instuticionet tona kanë qenë paksa neglizhente ndaj neve dhe është dashur të na rrinë më afër dhe ta shohin agjendën tonë për t’i bërë planet e tyre”, tha fillimisht Ahmeti në RTK, përcjell Zëri.info.

“Stadiumin ‘Adem Jashari’ e kemi pasur ‘mbështetës’ dhe ka qenë i licencuar, por tashmë nuk e ka atë licencë. Jemi tërhequr si Federatë, na është thënë se punët do të fillojnë në janar, por që nuk kanë filluar. Për gjendjen e tij, duhet të pyetet Ministria e Sportit”, vlerësoi Ahmeti.

“Tjetër që është me rëndësi të thuhet është se vitin tjetër do të garojmë me tre skuadra në Evropë – Përfaqësuesen A, U-21 dhe skuadrën e femrave, dhe puna në një stadium me të vërtetë është e vështirë, si dhe tri skuadrat e Superligës së Kosovës. Është tejet e vështirë. Në mars duhet të aplikojmë në UEFA, dhe mbetet të shihet se cila do të jetë përgjigjja”, potencoi Ahmeti.

Tutje, Ahmeti ka folur edhe për bashkëpunimin e UEFA-s në lidhje me infrastrukturën sportive në Kosovë.

"I kemi gjashtë projekte, gjashtë fusha të cilat në bashkëpunim me UEFA-n tashmë kanë përfunduar dhe klubet veçse kanë nisur të stërviten në to. Projektet vazhdojnë, por në infrastrukturën e stadiumeve të mëdha nuk kemi kapacitete si FFK dhe UEFA nuk financon në to", shtoi Ahmeti./Zëri.info


“