Superliga live: Gjilani fiton me vështirësi, barazon Drita
D

Superliga live: Gjilani fiton me vështirësi, barazon Drita

Sport tetor 08, 2019 - 13:41
Detajet

Pas tri ndeshjeve të zhvilluara dje, sot në kuadër të javës së nëntë në Superligën e Kosovës në futboll zhvillohen dy ndeshjet e mbetura të kësaj jave, raporton Zëri.info

Pa asnjë dyshim vëmendja do të jetë në Skenderaj, ku përballen Drenica dhe Drita. Drita, që po kalon formë të mirë në fushë, zbret me të vetmin qëllim – fitoren, në mënyrë që ta rikthejë kreun e tabelës, derisa për Drenicën, e cila ka pasur rezultate “mikse” në këtë fillim të edicionit në kampionatin elitar kosovar, do të jetë një ndeshje mjaft e vështirë.

Në stadiumin “Bajram Aliu” pritet të zhvillohet përballje shumë e fortë dhe vështirë e deshifruar ndërmjet Drenicës e Dritës, dy skuadra këto që njihen për futboll të bukur dhe me të drejtë pritet një përballje joshëse në këtë ballafaqim.

Drenicës, që ka një ndeshje më pak për shkak të shtyrjes së ballafaqimit me Prishtinën, i duhet medoemos pikët e plota, ndryshe do të jetë tejet e vështirë të kompensohen pikët e humbura, edhe pse deri në fund të kampionatit ka shumë ndeshje për t’u zhvilluar.

Momentalisht kreun e tabelës në Superligën e Kosovës e mban Ballkani me 20 pikë të grumbulluara, por në rast të fitores Drita do ta rrëmbejë këtë pozitë, por me pikë të barabarta me skuadrën e Ismet Munishit. Kurse Drenica tani për tani renditet në vendin e nëntë me nëntë pikë të tubuara, derisa shpreson në rezultat pozitiv për t'i ikur zonës së rrezikshme.

Image

Një ndeshje shumë interesante dhe e luftuar fort pritet të jetë edhe në Gjilan, ku do të përballen Gjilani dhe Dukagjini. Edhe pse synimet e këtyre dy skuadrave sivjet janë të ndryshme, ku Gjilani po lufton për titullin e kampionit e Dukagjini për mbijetesë, rivaliteti pritet të jetë shumë i madh në fushë.

Gjilani llogaritet të ketë punë më të lehtë përballë Dukagjinit, por nëse marrim parasysh triumfin e Dukagjinit në mesjavën e kaluar, atëherë motivi i ekipit nga Klina është shumë i madh dhe drejt Anamoravës shkojnë për të marrë pikë.

Momentalisht Gjilani renditet në vendin e pestë në tabelë me 15 pikë të tubuara, kurse Dukagjini me vetëm një fitore në tetë ndeshjet e para të këtij edicioni mban vendin e fundit me vetëm katër pikë sosh.

Gjilani - Dukagjini 1:0

Përfundon ndeshja.

84' Gerhard Progni i Gjilanit gjuan për mrekulli nga goditja e lirë, por qëllon vetëm shtyllën.

77' Husein Demiri godet nga afërsia, por qëllon pingulen.

68' Dukagjini niset menjëherë në kundërsulm, por pa sukses.

67' Jonuzi i Gjilanit driblon katër futbollistë të Dukagjinit, por ndalet nga futbollisti i pestë në zonë.

57' Altin Lloga i Dukagjinit me një goditje nga distanca, por gjuan plogësht.

52' Rast i mirë për Gjilanin, por goditja e Busic ndalet nga futbollistët e Dukagjinit, të cilët nisen në kundërsulm, por pa sukses.

50' Dukagjini niset drejt sulmit kundër Gjilanit, por Altin Lloga ndalet në pozicion jashtë loje.

46' Nis pjesa e dytë.

Përfundon pjesa e parë në Gjilan.

45' GOOOOL. Progni asiston për Busic, i cili shënon në portën e Dukagjinit Flamur Neziri.

45' Katër minuta lojë shtesë në Gjilan.

40' Goditje e lirë për Gjilanin, por Progni godet vetëm 'murin e gjallë'.

30' Goditje nga Keita Aziz i Gjilanit prej distancës, por nuk qëllon portën.

26' Dukagjini në sulm ndaj Gjilanit, por Husein Demiri bllokohet mjaft mirë nga futbollistët gjilanas.

23' Rast i mirë për Gjilanin, Progni tenton nga distanca, por pa sukses.

14' Aksion i mirë nga Dukagjini, por Altin Lloga gabon në pasim.

11' Rast i artë për Gjilanin, por Bedri Greca nuk arrin të realizojë në portën e klinasve.

7' Oltion Rrapa pëson lëndim në duel me futbollistin e Dukagjinit Denis Haliti. Rrapa largohet nga loja, inkuadrohet Ylber Kastrati.

6' Ndeshje e balansuar në Gjilan, ende pa asnjë rast shënimi të dyja skuadrat.

1' Nis ndeshja në Gjilan

Formacionet zyrtare

Gjilani: Haxhihamza, Frashëri, Veliu, Rapa, Halili, Keita Aziz, Useini, Jonuzi, Progni, Greca, Busiç

Dukagjini: Neziri, Basriu, Palushaj, Haliti, Beqiri, Musa, Mustafa, Gava, Demiri, Jashanica, Lloga.  

Drenica - Drita 1:1

Përfundon ndeshja.

85' GOOOL. Drenica barazon shifrat në 1:1. Shënon Diar Prokshi.

74' Azem Bejta i Drenicës gjuan nga distanca, por jashtë portës.

59' Drita arrin ta dyfishojë epërsinë për Ardian Limanit, por goli anulohet për pozitë jashtë loje.

46' Nis pjesa e dytë.

Përfundon pjesa e parë në Skënderaj.

39' GOOOOOL. Drita kalon në epërsi përballë Drenicës. Fortunato shënon pas asistimit nga Emini.

20' Izair Emini gjuan mjaft mirë nga ndëprerja për Dritën, por nuk ia del.

15' Genc Hamiti gjuan nga porta, por portieri i Dritës pret goditjen e futbollistit të Drenicës.

1' Nis ndeshja në 'Bajram Aliu'

Formacionet zyrare

Drenica: Ymeri; Osmani, Pasoma, Balde, Bejta; Thaçi, Bardhi, Mëziu, Hamiti, Hasani; Abazi.

Drita: Tofiloski, Gërbeshi, Limani, Cuculi, Leci, Bujar Shabani, Namani, Emini, Fortunato, Xhevdet Shabani, Bunjamin Shabani./Zëri.info