Messi: Isha pranë largimit nga Barcelona para pesë vitesh

Messi: Isha pranë largimit nga Barcelona para pesë vitesh

Sport tetor 09, 2019 - 14:45
Detajet

Lionel Messi ka zbuluar se ishte shumë pranë largimit nga Barcelona në vitin 2014 pasi ai dhe babai i tij ishin akuzuar për evazion fiskal.

Pesë-herë fituesi i ‘Topit të Artë’ ishte akuzuar për fshehje të të ardhurave nga të drejtat e imazhit në vlerë prej 4.1 milionë euro mes viteve 2007 dhe 2009, shkruan Zëri.info.

Messi ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 21 muaj burg si dhe me një gjobë prej 2 milionë euro në korrik të vitit 2017.

Dhe Messi tani ka pranuar se kur filluan akuzat, ai donte ta linte Spanjën dhe ka folur me disa klube për t’u larguar nga ‘Camp Nou’, ndonëse nuk mori asnjë ofertë konkrete.

“E kisha në medje largimin aso kohe, të mos largohesha nga Barcelona, por nga Spanja. Mendoja se jam keqtrajtuar dhe nuk doja të isha më aty”, tha fillimisht Messi për “RAC1”.

“E kisha derën e hapur te disa klube por nuk mora asnjë ofertë zyrtare sepse të gjithë e dinin dëshirën time për të vazhduar te Barcelona”, tregoi më tej Messi.

“Ishte e vështirë për mua dhe familjen time, shumë njerëz nuk e dinin se çfarë do të ndodhte”, potencoi Messi.

Megjithatë 32-vjeçari insiston se dëshiron ta mbyll karrierën te klubi katalunas, aty ku ai është kapiten në dy vitet e fundit.

“Natyrisht unë do të qëndroj nëse ju më doni mua. Asgjë nuk ka ndryshuar. Do ta mbaroj karrierën time këtu”, shtoi më i miri i botës./Zëri.info