Rrëfimi i Albin Kurtit, portierit të FC Vushtrrisë – si erdhi emri i tij

Rrëfimi i Albin Kurtit, portierit të FC Vushtrrisë – si erdhi emri i tij

Sport tetor 10, 2019 - 23:55
Detajet

Nuk është politikan e as nuk është kryeministri i ardhshëm, nuk e kemi parë shpesh në media e as në protesta, Albin Kurti është portier i skuadrës së Vushtrrisë që garon në Superligën e Futbollit të Kosovës.

“Quhem Albin Kurti. Jam nga qyteti antik i Vushtrrisë. Jam portier i FC Vushtrrisë. Jam i lindur në vitin 2000”, ka deklaruar për RTV Dukagjinin, Albin Kurti.

Albini tregon se emri i tij erdhi pikërisht nga Albin Kurti, i cili në kohën kur lindi portieri vushtrrias, ishte i përndjekur politik nga pushtuesi serb dhe ishte mbajtur gjatë në burgjet e Serbisë.

“Emri im nuk është rastësi. Në vitin 2000 Albin Kurti ishte në burgjet e Serbisë dhe prindi më ka vendosur emrin e tij për shkak të aktivitetit që Kurti ka pasur në protestat kundër okupatorit serb”, ka thënë Kurti.

Për të parin e Lëvizjes Vetëvendosje ai dëshiron diçka interesante dhe bën një krahasim me përzgjedhësin e Kosovës në futboll, Bernard Challandes.

“Shpresoj se Albin Kurti do të ketë fatin e Bernard Challandes. Challandes pati shumë suksese me Kosovën në futboll, ndërsa Albin Kurtit i uroj ta çojë Kosovën përpara”, tha Kurti.

Kurti shpreson që emnaku i tij, i cili me shumë gjasë do të jetë kryeministër i Kosovës të punojë më shumë në sport.

“Në familjen time është edhe një anëtar me emrin Hashim. Në rrugë njerëzit nuk na besojnë që kemi emrat Albin dhe Hashim”, shtoi më tej Albin Kurti.

Albini bashkë me Vushtrrinë u inkuadruan sivjet në Superligën e Futbolli të Kosovës, ai këtë vit ka mbrojtur portën vushtrriase në tri ndeshje miqësore, derisa cilësohet si portier mjaft premtues.