Fitim Llapashtica tregon nëse do të vazhdojë ta drejtojë Vushtrrinë pas shkarkimit të Antonio Tomës

Fitim Llapashtica tregon nëse do të vazhdojë ta drejtojë Vushtrrinë pas shkarkimit të Antonio Tomës

Sport October 22, 2019 - 16:31
Detajet

Fitim Llapashtica e ka drejtuar ekipin e Vushtrrisë në duel me Feronikelin, pasi që drejtuesit e klubit kanë marrë vendim para ndeshjes për ta shkarkuar trajnerin italian Antonio Toma.

Për Llapashticën e ardhmja e tij ende është e paqartë, derisa zbuloi se drejtuesit e klubit ia besuan postin e shefit të shtabit teknik që pas largimit të Tomës.

“Nuk kam ndonjë lajm që nuk do të vazhdoj, megjithatë i mbetet kryesisë së klubit për të vendosur. Unë do të vazhdojë të punoj, sikurse kam bërë që nga fillimi i kampionatit, pasi që kam qenë pjesë e klubit”, deklaroi Llapashtica për “Super Sport Kosovën”.

Më pas Llapashtica foli edhe për duelin e humbur ndaj Feronikelit, derisa beson se skuadra e tij ka merituar më shumë në këtë përballje.

“Ishim më të mirë se kundërshtari, pasi që krijuam më shumë dhe i mbyllëm hapsirat për të na rrezikuar. Kemi punuar shumë për këtë ndeshje dhe lojtarët bënë maksimumin dhe futbolli është i tillë që e pranon gol në minutat e fundit në mënyrë të tillë. Jam i kënaqur me këtë paraqitj, ishim shumë afër të merrnim një pikë”, përfundoi Llapashtica.

Vushtrria mbetet në pozitën e fundit të renditjes tabelare me gjashtë pikë të tubuara.

Javën e ardhshme, Vushtrria do ta luajë sërish në shtëpi. Ish-kampionët e vendit takohen me Llapin.