Largimet, ardhjet dhe objektivat, rrëfehet Tahir Batatina

Largimet, ardhjet dhe objektivat, rrëfehet Tahir Batatina

Sport dhjetor 03, 2019 - 08:10
Detajet

Skuadra e Llapit para nisjes së këtij edicioni bëri ndryshime të mëdha në përbërje, derisa i transferoi shumë futbollistë me emër në futbollin e Kosovës.

Skuadra nga Podujeva, e drejtuar nga Tahir Batatina, pas përfundimit të stinorin vjeshtor ndodhet në pozitën e shtatë me 24 pikë të grumbulluara, dhjetë më pak se lideri Ballkani, shkruan sot, gazeta "Zëri".

Ekipi bardhekaltër në disa ndeshja dëshpëroi me lojën e treguar, duke lëshuar shumë pikë. Në një prononcim për gazetën “Zëri” Batatina ka thënë se asgjë nuk ka përfunduar sa i përket kampionatit.

Kujtojmë se Llapi është eliminuar në Kupën e Kosovës nga Ballkani në Suharekë të enjten e kaluar. “Asgjë nuk ka përfunduar në kampionat dhe ne do të luftojmë deri në fund, derisa të na lejojë matematika. Në shumë ndeshje në kampionat na ka munguar fati, pasi kemi pasur shumë futbollistë të lënduar dhe kemi humbur shumë pikë”, ka thënë Tahir Batatina për gazetën “Zëri”.

Batatina ndër të tjera thekson se pranvera në futbollin e Kosovës do të jetë shumë interesante për Llapin. “Pranvera do të jetë shumë e nxehtë nga ana e Llapit”.

Çështja e lojtarëve të shumëpërfolur

“Timonieri” nga Podujeva, Tahir Batatina, në disa raste i ka kritikuar lojtarët me përvojë te Llapi, teksa i ka lavdëruar futbollistët e rinj.

“Sa u përket lojtarëve të rinj, e them me plot përgjegjësi se e kanë dëshmuar veten në ndeshjet e fundit me paraqitjet e tyre të mira. Edhe pse në disa raste kanë munguar futbollistët me përvojë, ata kanë dëshmuar karakter dhe më kanë bindur edhe më shumë se duhet që t’ju besojmë në ndeshjet kampionate. Skuadrës i duhen edhe lojtarët me përvojë dhe me bagazh, por më shumë lojtarët e rinj, që vrapojnë në fushë, sepse ky është futbolli bashkëkohor në kohën që po jetojmë”, shtoi Tahir Batatina.

“Llapi do ta analizojë mirë situatën. Nuk do të ngutemi. Me rëndësi që te Llapi të gjithë lojtarët i kanë kontratat dhe do ta analizojmë secilën prej tyre me çdo lojtar, duke i parë objektivat e skuadrës dhe të futbollistëve. Ka kohë për këtë çështje. Duhet të jemi të qetë. Ky është futbolli, duhet të mësohemi me humbje dhe me fitore”. Ai në fund vlerësoi se skuadra ka nevojë për përforcime.

“Në afatin kalimtar të janarit do të ketë ardhje të reja në skuadër, por do të ketë edhe largime. Llapit më së shumti në vjeshtë i ka munguar një portier, një mbrojtës dhe një sulmues që shënon gola”, përfundoi Tahir Batatina./Zëri.info