Vjeshta e Ballkanit

Vjeshta e Ballkanit

Sport dhjetor 03, 2019 - 08:18
Detajet

Ballkani e ka mbyllur me humbje stinorin vjeshtor të këtij sezoni, por përsëri do të mbetet në krye të tabelës. Skuadra nga Suhareka në xhiron e 17-të u mposht nga Vushtrria, me rezultat 1:0.

Ferizaj ka shënuar fitore të madhe në Skenderaj, duke mposhtur Drenicën me rezultat 0-2, kurse Feronikeli ka shënuar fitore ndaj Dukagjinit me rezultat 4:2, shkruan sot, gazeta “Zëri”.

Ballkani është kampion vjeshtor i Superligës, megjithëse u mund 1:0 nga Vushtrria në ndeshjen përmbyllëse të pjesës së parë të sezonit 2018-2019 të hënën në “Ferki Aliu”.

Ndërkohë, kampioni në fuqi Feronikeli e mbyll gjysmësezonin me triumf 4:2 kundër skuadrës së fundit në renditje Dukagjinit, në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.

Ferizaj, ndërkohë, bëri një hap të madh në luftë për mbijetesë në ligën elitare kosovare, duke e mundur Drenicën 2:0 në Skenderaj.

Befasia ndodhi në Vushtrri, mposhtet Ballkani

Vushtrria ka arritur ta shkaktojë befasinë më të madhe këtë edicion teksa ka mposhtur liderin Ballkanin me rezultat minimal 1:0.

Ndeshja u zhvillua pa praninë e tifozëve, pasi Vushtrria ishte dënuar nga FFK-ja për shkak që tifozët vendas kishin sulmuar gjyqtarin në takimin me Gjilanin.

Gjithsesi vendasit ishin të motivuar, pasi luanin ndaj liderit të tabelës dhe kishin nevojë të madhe për pikë.

Ndeshja filloi më mirë për Ballkanin, lojtaret krijuan disa raste të mira me Baftiun e me Maganin, por që dështuan të shënonin.

Në anën tjetër vendasit në minutën e 32-të fituan penallti, që në gol e shndërroi Bashkim Shala. Dy minuta më vonë Ballkani ka mundur ta barazojë rezultatin, por goditja e Blend Baftiut u ndal nga shtylla.

Me rezultatin 1-0 për vendasit përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide. Në pjesën e dytë Ballkani u hodh në sulm në kërkim të golit të barazimit, ndërsa Vushtrriasit dilnin disa herë në mundësi shënimi nga kundërsulmet, por që portieri mysafir Armend Ruxhi bënte mrekulli me pritjet e tij.

Skuadra e Ismet Munishit shtoi sulmet në fund, por nuk arritën të barazonin rezultatin.

Kësisoj Vushtrria merr një fitore jashtëzakonisht të rëndësishme 1-0, fitore që i mban me shpresa për mbijetesë.

Pas 17 xhirove në vjeshtë Vushtrria e mbyll sezonin në pozitën e 11-të me 15 pikë.

Në anën tjetër, pavarësisht humbjes, Ballkani do të dimërojë si kampion vjeshtor, pasi ka 34 pikë, dy më shumë se përcjellësi Gjilani.

Gjashtë gola në Drenas, fiton Feronikeli

Feronikeli është rikthyer te fitorja, teksa para tifozëve të vet ka mposhtur skuadrën e fundit në tabelë Dukagjinin e Klinës, me rezultat 4-2.

Feronikeli e nisi për mrekulli ndeshjen kur vetëm pas dy minutash lojë gjetën golin e epërsisë. Ishte sulmuesi anësor Haxhi Neziraj që u gjend mirë në zonë dhe me një goditje të saktë shënoi për 1-0.

Feronikeli shtoi sulmet edhe pavarësisht epërsisë, ndërsa rrezikuan me Da Silvan e me Zekën, por Muhaxhiri i mysafirëve ishte në vend.

Në minutën e 22-të kampioni në fuqi shënoi golin e dytë, ku kësaj radhe realizues ishte mesfushori defansiv Albert Dabiqaj, që shënoi nga distanca, por pesë minuta më vonë Jeton Dushi i mysafirëve shënoi një gol nga distanca, për të ngushtuar epërsinë në 2-1.

Skuadra e fundit në tabelë barazoi gjithçka në minutën e 33-të me anë të Mark Milicajt, që shënoi nga penalltia.

Nikli ka mundur ta rikthejë epërsinë në pjesën e parë, por goditja e Nezirajt u largua nga vija fatale.

Kësisoj pjesa e parë përfundoi me rezultat të barabartë, 2-2.

Me të filluar pjesa e dytë kampioni në fuqi i Kosovës shënoi golin e tretë në këtë takim, me realizues Mevlan Zekën, që shënoi me kokë.

Krejt në fundin e ndeshjes Da Silva shënoi për rezultatin përfundimtar 4-2.

Kësisoj Feronikeli tani ndodhet në pozitën e pestë në tabelë me 27 pikë, shtatë më pak se lideri Ballkani.

Në anën tjetër Dukagjini e përfundon stinorin vjeshtor me tetë pikë pas 17 ndeshjeve.

Fitore e madhe e Ferizajt në udhëtim te Drenica

Ferizaj ka arritur fitore të madhe në udhëtim te Drenica, 0-2.

Skuadra bardhekaltër ka shkaktuar një befasi jashtëzakonisht të këndshme teksa ka mposhtur drenicasit në Skenderaj.

Ishte kapiteni i Ferizajt, Dardan Çerkini, që me dy golat e shënuar i ka siguruar ekipit të tij një triumf jashtëzakonisht të madh.

Çerkini golin e parë e shënoi në minutën e 20-të, kur me një goditje të fortë mposhti portierin vendas për 0-1.

E në përfundim të pjesës së parë Çerkini realizoi edhe një herë, për ta dyfishuar epërsinë e Ferizajt.

Deri në fund të ndeshjes Drenica tentoi të bënte diçka më shumë, por nuk ia arritën kundër mbrojtjes së fortë të mysafirëve.

Kësisoj “Ujqit” morën tri pikë të arta nga kjo përballje dhe tani kanë shtuar gjasat për mbijetesë.

Pas 17 xhirove Ferizaj ndodhet i 10-ti në tabelë me 18 pikë të grumbulluara, derisa Drenica mbetet e gjashta, me 24 pikë.

Java 17

Rezultatet

E diel

Llapi – Flamurtari 1:4

Gjilani – Prishtina 0:0

Trepça ’89 – Drita 3:1

E hënë

Vushtrria – Ballkani 1:0

Feronikeli – Dukagjini 4:2

Drenica – Ferizaj 0:2

Tabela

1. Ballkani 17 34

2. Gjilani 17 32

3. Drita 17 31

4. Prishtina 17 31

5. Feronikeli 17 27

6. Drenica 17 24

7. Llapi 17 24

8. Trepça ’89 17 23

9. Flamurtari 17 19

10. Ferizaj 17 18

11. Vushtrria 17 15

12. Dukagjini 17 8./Zëri.info