Vjen një lam i madh për pingpongun kosovar

Vjen një lam i madh për pingpongun kosovar

Sport December 05, 2019 - 17:49
Detajet

Federata e Pingpongut e Kosovës, përveç besimit të organizimit të garave rajonale dhe atyre të fazës kualifikuese të garave evropiane, ka gjyqtarë të licencuar nga Federata Ndërkombëtare e Pingpongut - ITTF, të cilët jo rrallë herë kanë ndarë drejtësinë edhe në ndeshje finale evropiane e botërore.

Puna e palodhshme është vlerësuar lartë edhe nga udhëheqësit e ITTF, të cilët përgëzojnë anëtarët e FPPK-së, për punën e tyre të vazhdueshme. Së fundmi, është gjyqtari z.Bashkim Gashi, i cili me vetë-iniciativë, ka përkthyer manualin dhe rregullat e përditësuara të ITTF-it (ITTF Handbook 2019) , në gjuhen shqipe, me qëllimin e vetëm për lehtësimin e kuptueshmërisë dhe aplikueshmërisë së rregullave të pingpongut nga gjyqtarët vendor. 

 z.Gashi, i cili është edhe anëtar i Shoqatës së Gjyqtarëve të Kosovës është shprehur se deri më tani gjyqtarët kanë përdorur literaturën angleze dhe atë serbo-korate për aftesimin e tyre.

"Duhet të ceket se deri më tani gjyqtarët për t’u aftësuar dhe licencuar si gjyqtarë kombëtar dhe ndërkombëtarë kanë mësuar vetëm nga literaturat në gjuhën angleze dhe ato serbo-kroate", tha ai.

Gjyqtari Gashi tregoi që sukseset e FPPK-së dhe sportit kosovar si dhe përvoja e tij e kanë shtyrë të kontribuojë në zhvillimin e pingpongut duke përkthyer doracakun në gjuhën shqipe.

Ai më tutje shtoi se "duke i parë këto suksese të pingpongut dhe sportit kosovarë në përgjithësi, unë si gjyqtarë ndërkombëtarë i licencuar nga ITTF kam marrë guximin që me njohuritë e mia ta filloj dhe ta përfundoj përkthimin e dy doracakeve shumë të nevojshëm për gjyqtarë dhe zyrtarë të ndeshjeve në pingpong".

Tutje theksoi se shpreson që ky doracak t’i ndihmojë kolegëve të tij të ardhshëm dhe në sukseset në përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. 

"Shpresoj që deri diku këta doracakë do të ju dalin në ndihmë kolegëve të mi të ardhshëm që me sukses ta përfaqësojmë Kosovën në arenën ndërkombëtare", përfundoi z.Gashi.

FPPK i inkurajon të gjithë zyrtarët e saj, por edhe arsimtarët e shkollave fillore dhe të mesme të shfrytëzojnë këtë doracak, në mënyrë që të zhvillohet sa më shumë sporti i pingpongut në të gjithë territorin e Kosovës.