Hendbollisti i Përfaqësueses së Kosovës transferohet në Norvegji

Hendbollisti i Përfaqësueses së Kosovës transferohet në Norvegji

Sport December 06, 2019 - 17:03
Detajet

Njëri prej lojtarëve kryesorë të Përfaqësueses së Kosovës në hendboll, Luigj Quni ka bërë transferim të rëndësishëm për karrierën e tij.

Lajmi është dhënë nga Federata e hendbollit e Kosovës e cila ka njoftuar se Quni ka kaluar nga skuadra e Zvicrës, Pfadi Winterthur te ajo e elitës së Norvegjisë, OIF Arendal.

“Lëvizja e tij është zyrtarizuar dhe Quni mund të debutojë në kampionatin norvegjez që në fundjavë. Norvegjia e ka hendbollin shumë të zhvilluar dhe kalimi në këtë vend pritet të jetë hap i rëndësishëm për karrierën e Qunit, njërit prej lojtarëve luftarakë të Kosovës.

Quni luan në pozitën e pivotit dhe shquhet për angazhimin dhe luftën për çdo top. 23-vjeçari është zhvilluar shumë te Pfadi Winterthur, që është njëra prej skuadrave më të mëdha në Zvicër. Por ka vlerësuar se është koha për hap të ri në karrierë”, ka shkruar FHK.

Trajneri i Arendalit, Marinko Kurtoviq ka folur fjalë të mira për Qunin. “Është lojtar shumë i fortë fizikisht. Ai mund t’u ofrojë lojtarëve tjerë mundësi më të mëdha dhe po ashtu shton opsionet afër vijës”, ka thënë trajneri i skuadrës norvegjeze. Ai është impresionuar me Qunin si njeri dhe si lojtar i hendbollit. “Quni përfshihet në mënyrë perfektë në profilin tonë, si person dhe si lojtar. Ai ka karakter shumë të fortë”, ka deklaruar Marinko Kurtoviq.

Kjo është lëvizje e rëndësishme e Qunit para se ai të grumbullohet me Kombëtaren tonë për ndeshjet që i kemi në janar.

Arendali luan rregullisht në gara evropiane. Në kampionatin norvegjez e mbanë vendin e tretë me 14 pikë nga 11 ndeshje. Skuadra e parë i ka 17 pikë. Në vitet 2015 e 2016 Arendali ishte kampion i Norvegjisë.

Qunit i urojmë suksese sa më të mëdha në Norvegji. /Zëri.info

Image