Kualifikohet edhe Atletico, fitojnë PSG-ja, Reali, Bayerni e Juve

Kualifikohet edhe Atletico, fitojnë PSG-ja, Reali, Bayerni e Juve

Sport December 11, 2019 - 22:58
Detajet

Atletico Madridi është skuadra e fundit që e ka siguruar kualifikimin në mesin e 16 skuadrave më të mira të Ligës së Kampionëve, shkruan zeri.info

Klubi spanjoll triumfoi 2:0 në shtëpi ndaj Lokomotivës së Moskës, duke e siguruar kualifikimin tutje nga pozita e dytë në grupin D.

Joao Felix shënoi në minutën e 17-të për 1:0, kurse epërsinë në 2:0 e çoi Felipe (54’).

Në takimin tjetër të këtij grupi, Juventusi, që e kishte siguruar më herët kualifikimin nga pozita e parë, triumfoi 2:0 në udhëtim te Bayer Leverkuseni.

Cristiano Ronaldo (75’) dhe Gonzalo Higuain (90’) realizuan për italianët.

Në grupin A, Paris Saint-Germaini dhe Real Madridi korrën fitore.

PSG-ja triumfoi 5:0 kundër Galatasarayt. Mauro Icardi (33’), Pablo Sarabia (35’), Neymar (47’), Kylian Mbappe (63’) dhe Edinson Cavani (84’) shënuan për parisienët.

Ndërkohë, Real Madridi fitoi 3:1 në udhëtim te Club Brugge. Rodrygo shënoi për epërsinë e madrilenëve në minutën e 53-të, derisa rezultati u barazua në 1:1 nga Hans Vanaken (55’). Por, madrilenët kaluan sërish në epërsi dhe triumfuan me golat e Vinicius Juniorit (64’) dhe Luka Modricit (90’).

Në grupin B, Bayern Munichu e mbylli grupin me 6 fitore, derisa triumfoi me shifrat 3:1 ndaj Tottenhamit në ndeshjen e fundit në grup.

Bayerni dhe Tottenhami e kishin siguruar më herët kualifikimin tutje.

Kingsley Coman i kaloi në epërsi bavarezët në minutën e 14-të, derisa Ryan Sessegnon e barazoi rezultatin për Tottenhamin në minutën e 20-të.

Thomas Mueller shënoi në minutën e 45-të për 2:1, kurse rezultatin përfundimtar e vulosi Philippe Coutinho (64’).

Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Olympiacosi fitoi 1:0 ndaj Crvena Zvezdës dhe do t’i vazhdojë garat në Ligën e Evropës./Zëri