Luajnë pa paga e pa kushte, KF Vëllaznimi vjen me thirrjen e fundit

Luajnë pa paga e pa kushte, KF Vëllaznimi vjen me thirrjen e fundit

Sport December 12, 2019 - 12:00
Detajet

Skuadra me traditë në futbollin kosovar, Vëllaznimi i Gjakovës vazhdon të përballet me telashe shumë të mëdha organizative. Klubi duket të jetë buzë greminës dhe nëse nuk gjendet së shpejti një zgjidhje skuadra mund të përballet me pasoja të parikuperueshme. Së paku kështu njofton skuadra gjakovare përmes një njoftimi në rrjetin social ku ceken telashe e mëdha që kanë, shkruan Zëri.info

“Stinori i porsapërfunduar, vjeshtor, i futbollit, ka qenë njëri ndër më të vështirit në historinë e veprimtarisë së klubit Vëllaznimi. I përballur, si asnjë herë më parë, me probleme shumë të mëdha financiare, por edhe me probleme organizative e kuadrovike, Vëllaznimi mezi ia doli të përmbyll këtë stinor me bilanc mjaft të varfër. Bile, po të mos ishte sakrifica e futbollistëve, e trajnerëve dhe e stafit shumë të tkurrur të klubit, të cilët vazhduan të luajnë e të punojnë edhe pa paga, vjeshta ka mundur të jetë akoma më e varfër, bile ka mundur të rrezikohet edhe ndërprerja e përkohshme e aktivitetit të Klubit. Si do që të jetë, me një finish të suksesshëm (tri fitore radhazi), sa do pak u përmirësua përshtypja mjaft e zbehtë e vjeshtës.

Tash shtrohet pyetja – çka dhe si më tutje?! Edhe pse duket e pabesueshme dhe paradoksale, ekziston rreziku permanent që stinori pranveror të jetë akoma më i vështirë se ky i porsapërfunduari, vjeshtor! Nëse kjo periudhë e pushimit dimëror, ose edhe më saktësisht, nëse deri në fund të këtij viti nuk arrihet të saktësohet statusi dhe të gjendet mënyra e financimit të qëndrueshëm të klubit, mund të ndodh që shumë nga futbollistët aktual, gjatë afatit kalimtar dimëror, të braktisin klubin, gjë që tashmë e kanë paralajmëruar. Prandaj kujtojmë se është momenti që, të gjithë ata që e duan klubin dhe kanë mundësi të ndihmojnë, të angazhohen në këtë drejtim për zgjidhjen e statusit dhe gjetjen e mënyrës së financimit të qëndrueshëm të Vëllaznimit, për tu mos u bë edhe më keq se që ishte në vjeshtë!

ëK.F.”Vëllaznimi” – Gjakovë”, ka shkruar skuadra kuqezi. /Zëri.info

Image