Ishte 6 vjet pjesë e Vllaznimit, kështu e përjeton situatën e kësaj skuadre Ajet Shosholli

Ishte 6 vjet pjesë e Vllaznimit, kështu e përjeton situatën e kësaj skuadre Ajet Shosholli

Sport December 14, 2019 - 11:17
Detajet

Njëra nga skuadrat më me traditë në futbollin e Kosovës, e cila dikur ishte edhe krenaria jonë, sot po kalon momentet më të rënda në historinë e saj. Fjala është për Vëllaznimin e Gjakovës, i cili sot duket i braktisur dhe për gjynah. Askush nuk i ofrohet duke e lënë në mëshirën e trajnerëve dhe të lojtarëve, që po vazhdojnë të luajnë pa para vetëm e vetëm të mos e lejojnë klubin vetëm, shkruan Zëri.info.

Por deri kur mund të vazhdojë kështu? Drejtuesit e klubit kanë paralajmëruar se pa një ndërhyrje të shpejtë gjërat mund të bëhen të parikuperueshme. Dikur ish-protagonist i Vëllaznimit, Ajet Shosholli, i cili ishte pjesë e skuadrës gjakovare për 6 vjet, në një rrëfim për gazetën “Zëri” ka thn se ndihet shumë keq për këtë situatë që po kalon Vëllaznimi, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Shoshilli, njëri nga trajnerët më të mëdhenj në futbollin e Kosovës, assesi nuk mund të pajtohet me situatën aktuale që po përjeton Vëllaznimi, derisa ka thënë se duhet një mobilizim i madh për ta ngritur në këmbë këtë skuadër.

Është vërtet për t’u befasuar se si erdhi në këtë situatë Vëllaznimi kur dihet se ka njërën nga tifozëritë më të flaktë në Kosovë dhe çdo futbollist do të ndihej krenar ta veshë atë fanellë, e cila peshon aq shumë.

Image

“Mendoj se i gjithë opinioni futbolldashës në Kosovë me keqardhje po e përjeton gjendjen e vështirë në KF Vëllaznimi. Natyrisht një përjetim të tillë madje edhe shumë më emocionues e kanë të gjithë ata që kanë qenë pjesë e këtij klubi e një ndër ta jam edhe unë, që kam qenë pjesë e Vëllaznimit për afro 6 vjet, ku kemi pasur shumë suksese si në Ligën e Dytë ish-Federative të Jugosllavisë, po ashtu edhe në Superligën e Kosovës”, ka thënë Shosholli për gazetën “Zëri”, duke shtuar se arsyeja kryesore pse Vëllaznimi është në këtë situatë janë financat, por edhe organizimi i mirë po mungon.

“Natyrisht se arsyeja kryesore është kriteri financiar i çdo klubi, pra në këtë rast edhe i Vëllaznimit, por mund ta kesh edhe kriterin financiar, por nëse nuk e ke organizimin e duhur në një klub, atëherë mungojnë edhe rezultatet. Besoj se qyteti i Gjakovës së shpejti do ta zgjidhë së pari çështjen financiare e pastaj ta bëjë edhe organizimin profesional të klubit, në mënyrë që Vëllaznimi ngadalë ta kthejë edhe namin, të cilin e ka pasur dikur”, ka përfunduar Ajet Shosholli. /Zëri.info