Zhgënjimi i Agim Canës

Zhgënjimi i Agim Canës

Sport December 14, 2019 - 12:03
Zbuloni detajet

Njëra nga skuadrat më me traditë në futbollin e Kosovës, e cila dikur ishte edhe krenaria jonë, sot po kalon momentet më të rënda në historinë e saj, shkruan Zëri.info.

Fjala është për Vëllaznimin e Gjakovës, i cili sot duket i braktisur dhe për gjynah. Askush nuk i ofrohet duke e lënë në mëshirën e trajnerëve dhe të lojtarëve, që po vazhdojnë të luajnë pa para vetëm e vetëm të mos e lejojnë klubin vetëm.

Por deri kur mund të vazhdojë kështu? Drejtuesit e klubit kanë paralajmëruar se pa një ndërhyrje të shpejtë gjërat mund të bëhen të parikuperueshme. Dikur ish-protagonistët e Vëllaznimit, Ajet Shosholli, i cili ishte pjesë e skuadrës gjakovare për 6 vjet, si dhe Ismet Munishi i cili një kohë ishte edhe futbollist dhe trajner i Vëllaznimit, në një rrëfim për gazetën “Zëri” ndihen shumë keq për këtë situatë që po kalon Vëllaznimi, derisa keqardhje ndiejnë edhe vetë futbollistët aktualë. Samir Sahiti ka thënë se shpreson se në një të ardhme të afërt të bëhet mirë fillimisht për klubin e pastaj edhe për lojtarët, që tash e një kohë nuk janë duke u paguar.

Gazeta “Zëri” ka kontaktuar edhe legjendën gjakovare Agim Canën, i cili i zhgënjyer jashtë mase për momentet që po kalon futbolli kosovar ka thënë se nuk dëshiron të flasë asgjë, pasi është shumë i zhgënjyer me atë çfarë ka përjetuar. Lajmin se Vëllaznimi është në një situatë të keqe e ka dhënë vetë klubi përmes një reagimi në rrjetet sociale, duke e cilësuar situatën momentale si më të keqen në histori të skuadrës, madje me frikë se nëse nuk ndërhyhet shpejt situata mund të bëhet edhe më e keqe, shkruan sot gazeta "Zëri".

Vëllaznimi stinorin vjeshtor në Ligën e Parë të Kosovës në futboll e ka mbyllur në pozitën e 13-të me vetëm 16 pikë dhe rrezikon shumë seriozisht të bjerë në një kategori edhe më poshtë çka vërtet do të ishte lajm jo i mirë për këtë skuadër. /Zëri.info