Munishi: Zoti e bekoftë Vëllaznimin!

Munishi: Zoti e bekoftë Vëllaznimin!

Sport December 14, 2019 - 12:08
Zbuloni detajet

Njëra nga skuadrat më me traditë në futbollin e Kosovës, e cila dikur ishte edhe krenaria jonë, sot po kalon momentet më të rënda në historinë e saj, shkruan Zëri.info.

Fjala është për Vëllaznimin e Gjakovës, i cili sot duket i braktisur dhe për gjynah. Askush nuk i ofrohet duke e lënë në mëshirën e trajnerëve dhe të lojtarëve, që po vazhdojnë të luajnë pa para vetëm e vetëm të mos e lejojnë klubin vetëm.

Por deri kur mund të vazhdojë kështu? Drejtuesit e klubit kanë paralajmëruar se pa një ndërhyrje të shpejtë gjërat mund të bëhen të parikuperueshme.

Me këtë situatë që po përjeton Vëllaznimi nuk po ndihet mirë as trajneri Ismet Munishi. Ai e njeh shumë mirë skuadrën gjakovare, pasi ka qenë edhe si futbollist, por edhe si trajner i saj, kështu që ai beson se në një të ardhme të afërt Vëllaznimi do të dalë nga kriza. “Më vjen shumë keq për gjendjen e Vëllaznimit. Duhet mobilizim i madh nga qyteti dhe nga të gjitha instancat e sportit dhe të gjithë atyre që kanë mundësi ta ndihmojnë klubin. Vëllaznimi është klub i madh dhe duhet të na vijë turp të gjithëve nëse nuk e ndihmojmë”, ka thënë Munishi, duke shtuar: “Vëllaznimi nuk është vetëm i Gjakovës, por i gjithë Kosovës, është identiteti i futbollit kosovar. Zoti e bekoftë Vëllaznimin!”, ka deklaruar Ismet Munishi për gazetën Zëri.

Vëllaznimi stinorin vjeshtor në Ligën e Parë të Kosovës në futboll e ka mbyllur në pozitën e 13-të me vetëm 16 pikë dhe rrezikon shumë seriozisht të bjerë në një kategori edhe më poshtë çka vërtet do të ishte lajm jo i mirë për këtë skuadër. /Zëri.info