U pritën me entuziazëm, por ende nuk janë ambientuar në Premierligë

U pritën me entuziazëm, por ende nuk janë ambientuar në Premierligë

Sport December 16, 2019 - 09:35
Detajet

Pablo Fornals, Moise Kean, Wesley, Joelinton, Dani Ceballos dhe Che Adams u transferuan gjatë verës në Premierligë. Pritjet për këta futbollistë ishin të mëdha, duke marrë parasysh vlerën e tyre. Por deri më tani ata nuk kanë arritur dot ta tregojnë potencialin e tyre, shkruan sot, gazeta "Zëri"

Me gjysmën e edicionit tashmë gati të përfunduar disa prej transferimeve të mëdha të verës ende nuk kanë arritur të ambientohen në klubet e reja të tyre. Nuk ka ndonjë të re, por duke marrë parasysh shifrat e transferimeve në ditët e sotme, klubet do të presim më shumë gjëra nga të ardhurit në vitin e ri.

Moise Kean, Everton

Duke marrë parasysh mënyrën se si Moise Kean e mbylli edicionin e kaluar ishte befasuese që Juventusi e lejoi largimin e tij. Ishte edhe më befasuese që Evertoni ishte pa ndonjë kundërshtar në ndjekjen e reprezentuesit italian dhe që nuk pati ndonjë klauzolë për riblerjen e tij në kontratë. Edhe në një shifër prej 29 milionë funteve, që mund të shkojë deri në 37 milionë, ishte një transferim interesant për klubin. Kean është ende 19-vjeçar, por ai nuk e impresionoi Marco Silvan dhe ai duhet të bëjë një fillim të ri nën trajnerin e ri. Duke parë opsionet modeste në vijën e sulmit dukej sikur Kean do të ishte zgjedhja e parë te Evertoni, por ai i ka luajtur si titullar vetëm 2 prej 11 paraqitjeve në ligë dhe vetëm një herë i ka kompletuar 90 minutat, në humbjen 2:0 në shtëpi nga Sheffield United. Ai ende nuk ka shënuar për klubin e ri dhe ka asistuar vetëm një herë. Ai ka një mesatare prej 3.3 goditjeve dhe 2.7 driblimeve të kompletuara për çdo 90 minuta që ka qenë në fushë, kështu që janë disa shenja inkurajuese, por tifozët e Evertonit kanë parë pak nga Kean sesa kanë pritur.

Che Adams, Southampton

Nëse është dashur një provë për dallimin në kualitet mes Championshipit dhe Premierligës, filli i aventurës së Che Adamsit në Southampton e ka treguar këtë. Pasi kishte shënuar 22 gola në edicionin e kaluar për Biringham Cityn në kategorinë e dytë angleze, Adams impresionoi në ndeshjet parasezonale dhe dukej se do ta siguronte një vend titullari te Southamptoni pas transferimit prej 15 milionë funteve. 23-vjeçarit iu dha rasti në fillim të kampanjës, por pas 6 ndeshjeve pa gol ai u la në stol. Adams nuk është rikthyer në formacion që prej asaj kohe. Që prejse e ka humbur vendin e tij ka bërë 5 paraqitje si zëvendësues, duke bërë vetëm dy gjuajtje në kuadratin e portës. Sikur Kean, ai ka bërë 11 paraqitje dhe nuk ka shënuar gol për klubin e ri. Adams mund të vuajë për ta rikthyer vendin e tij. Danny Ings është zgjedhur në 10 ndeshjet e fundit dhe ka shënuar në 8 prej tyre. Adams mund t’i bjerë pishman për shanset e tij të humbura. Kalimi në Premierligë mund të jetë i pafalshëm.

Pablo Fornals, West Ham

Nënshkrimi i Pablo Fornlasit u duk se do të jetë një transferim i madh për West Hamin në verë, duke marrë parasysh se ai sapo e kishte fituar Kampionatin Evropian U-21 me Spanjën. Mesfushori kishte një reputacion të madh, por forma e tij në Villarreal kishte pasur luhatje. Në edicionin e tij të parë me Villarrealin (2017 - 2018), Fornals shënoi 3 gola dhe regjistroi plot 12 asistime në La Liga. Sidoqoftë, forma e tij ra në edicionin e kaluar, me vetëm 2 gola dhe 3 asistime. 23-vjeçari ka aftësi, por ai ka bërë më shumë ndërhyrje (2.2 për 90 minuta) sesa gjuajtje (1.6), duke krijuar shanse (1) ose driblime të kompletuara (0.7) për West Hamin. Ai ka startuar në vetëm 8 prej 15 ndeshjeve në ligë deri më tani dhe ende nuk ka shënuar.

Dani Ceballos, Arsenal

Dani Ceballos ishte gjithashtu në ekipin e Spanjës që e fitoi Kampionatin Evropian U-21 në verë dhe ai gjithashtu ka vuajtur në Londër këtë edicion. Lëndimet e kanë bërë të veten, por ai nuk ka lënë ndonjë përshtypje të madhe pas huazimit të tij nga Real Madridi. Gjithçka filloi shumë mirë. Ai asistoi dy herë në ndeshjen e tij të parë në “Emirates” në fitoren 2:1 të Arsenalit ndaj Burnleyt në gusht. Ai dukej si një lojtar i nivelit të lartë në fushë. Por në 9 paraqitjet e tij që prej asaj kohe nuk ka shënuar dhe as nuk ka asistuar. Ceballos ka munguar në pesë ndeshjet e fundit në ligë, për shkak të një lëndimi, por edhe para kësaj kohe ai nuk tregoi diçka.

Joelinton, Newcastle

Newcastle theu rekordin e klubit për transferime me nënshkrimin e Joelintonit për 40 milionë funte dhe ende nuk është e qartë arsyeja. Sulmuesi brazilian ishte kyç për Hoffenheimin në edicionin e kaluar, duke e shfrytëzuar fizikun e tij për të futur në lojë të tjerët dhe duke mbrojtur mirë topin në sulm, por shkalla e kthimit të golave nuk ishte ajo e pritura. Ai shënoi 7 gola dhe bëri 5 asistime në Bundesligë, por finalizimi i tij shumë herë linte për të dëshiruar. Shkalla e saktësisë prej 12,5% ishte modeste, derisa kjo ka rënë edhe më tepër te klubi anglez. Ai ka luajtur 16 herë për klubin e ri dhe ka shënuar vetëm një gol – në gusht ndaj Tottenhamit. 23-vjeçari nuk ka shënuar në 13 ndeshjet e fundit. Për më tepër, mesatarja e tij prej 1.8 goditjeve, 1.1 pasimeve kyçe dhe 1.4 driblimeve për 90 minuta janë të ulëta, duke marrë parasysh paratë e paguara.

Wesley, Aston Villa

Wesley është një tjetër sulmuesi i ri brazilian që nuk ka arritur të përshtatet në futbollin anglez. Ai e filloi mjaft mirë edicionin duke shënuar 4 gola në 8 ndeshjet e para, por ritmi i tij ka rënë që prej asaj kohe. Ai nuk ka shënuar në tetë ndeshjet e fundit dhe në fakt nuk dukej se do ta gjente rrjetën në këtë kohë. Ai e bëri paraqitjen e tij të parë për Brazilin në muajin e kaluar, që ishte paska e habitshme duke e marrë parasysh ecurinë momentale me Aston Villën. Në formën aktuale 23-vjeçari duhet të presë më shumë për paraqitjen e dytë. Ai duket qartë se nuk ka vetëbesim dhe është duke vuajtur për pritshmëritë për të mbajtur topin për Aston Villën. Pavarësisht gjatësisë së tij, ka fituar vetëm 38% të dueleve në ajër. Për më tepër ai e ka humbur topin për shkak të 42 prekjeve të pasuksesshme të topit. Duke marrë parasysh konkurrencën e pakët në klubin anglez, kishte presion të madh mbi Wesleyn. Në këtë fazë, ai duhet të lihet pak në pushim.