Super-sfida mes Pejës dhe Sigal Prishtinës po afrohet

Super-sfida mes Pejës dhe Sigal Prishtinës po afrohet

Sport January 17, 2020 - 15:10
Detajet

Xhiroja e 21-të e Superligës së Kosovës në basketboll do të sjellë super derbin ndërmjet rivalëve të vjetër, Pejës dhe Sigal Prishtinës.

Klasikja e basketbollit kosovar pritet të jetë shumë interesante, me Pejën që ka bërë disa përforcime dhe ka synime të mëdha për stinorin pranveror.

Përforcimi më i madh pa dyshim mbetet Dardan Berisha, i cili kaloi pikërisht nga Prishtina.

Bardhekaltrit janë kampionë dhe liderë të tabelës dhe synojnë të vazhdojnë të mbesin në vendin e parë. Prishtina ka 14 fitore dhe katër humbje, kurse Peja nëntë fitore dhe tetë humbje.

Ndeshja e parë e kësaj xhiro do të zhvillohet ndërmjet Rahovecit dhe Lipjanit. Vreshtarët ndodhen në vendin e dytë me 13 fitore dhe pesë humbje, kurse lipjanasit kanë një fitore dhe 17 humbje.

Takim interesant do të zhvillohet edhe ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Trepçës. Skuadra therandase ka 12 fitore dhe gjashtë humbje, duke u renditur në vendin e tretë me 30 pikë, kurse mitrovicasit kanë katër fitore dhe 13 humbje dhe momentalisht janë në pozitën e tetë.

Ndeshja e fundit për këtë xhiro do të zhvillohet mes Ponte Prizrenit dhe Feronikelit. Prizrenasit kanë dhjetë fitore dhe tetë humbje, kurse skuadra nga Drenasi ka pesë fitore dhe 13 humbje.

Superliga – Java 21

E shtunë

17:00 Rahoveci – Lipjani

19:00 Golden Eagle Ylli – Trepça

E diel

17:00 Peja – Sigal Prishtina

19:00 Ponte Prizreni – Feronikeli

Bashkimi / pushon