Gashi: Kur u largova nga Colorada qerasa krejt ekipin, kjo është Amerika

Gashi: Kur u largova nga Colorada qerasa krejt ekipin, kjo është Amerika

Sport January 18, 2020 - 13:30
Eksperiencën në Amerikë nuk do ta harroj deri në fund të jetës sime

Shkëlzen Gashi është rikthyer sërish në Evropë pas aventurës së mbyllur me Coloradon në Amerikë. Një eksperiencë që më shumë sesa në karrierën e futbollit, i dha përfitime ekonomike sulmuesit shqiptar.

Kjo ishte arsyeja se përse nuk po vinte edhe zyrtarizimi te Aarau në merkaton e verës. Marrëveshja ishte mbyllur, por nëse do të konfirmohej edhe për mediat, atëherë Gashi do të hiqte dorë nga paratë e fituara ende në Amerikë, që zgjatën deri në dhjetor të vitit 2019.

Me mbylljen e këtij burimi të të ardhurave, Shkëlzen Gashi zyrtarizoi menjëherë skuadrën e re të Aaraut. Në një intervistë për mediat zvicerane, tregon jetën e tij në Amerikë dhe një nga rastet më të çuditshme, ku ka qerasur gjithë skuadrën pasi e hoqën përpara kohe.

“Kur jam larguar nga Colorado, u kam dhuruar pica ekipit dhe punonjësve në zyrë. Është e vërtetë, shumë më kanë thënë që asnjë lojtar tjetër nuk do e kishte bërë diçka të tillë pasi ta largonin dhe u duk e çuditshme.

Por ishte e vështirë për mua të tregoja që po largohesha nga klubi në mënyrën më të mirë dhe t’i falënderoja për tre vitet e shkëlqyera.

Ajo eksperiencë e imja në Amerikë më formon deri në fund të jetës sime. Sinqerisht nuk mendoj se shkova shumë herët atje, pavarësisht se të tjerët shkojnë për të marrë duartrokitjet e fundit të karrierës.

Amerikanët mendojnë se janë të mëdhenj, asgjë për të ta nuk është e pamundur. Saktësisht ashtu siç dua edhe unë të jetoj.

Maksimumi duhet të jetë gjithmonë qëllimi. Në javën e parë të timen atje, ftova gjithë skuadrën e Colorados për darkë. Ishte një mbrëmje shumë argëtuese. Të nesërmen, askush nuk më fliste. Mendova se kisha bërë diçka të gabuar.

“Kjo është Amerika”, më tha një shok i ekipit nga Gjermania që kishte qenë aty për një kohë të gjatë. Lojtarët atje nuk merreshin shumë me shokët e skuadrës si në Evropë, pasi nuk e dinin a do t’i rezistonte edhe një javë tjetër ai futbollisti i ri që shkonte në Amerikë. Pra amerikanët ishin shumë sipërfaqësorë dhe të bësh miq atje, është e pamundur”, ka thënë Gashi.