“Elite Youth” grumbullon talentet e Ferizajt

“Elite Youth” grumbullon talentet e Ferizajt

Sport January 19, 2020 - 16:15
Edhe në këtë grumbullim lojtarët e përzgjedhur nga vetë shkollat e futbollit patën mundësi që përgjatë tri orëve të tregojnë talentin e tyre

Projekti “Elite Youth Development Programme U15” ka vazhduar me grumbullimin në Ferizaj, me pjesëmarrjen e mbi 40 futbollistëve nga klubet dhe shkollat e futbollit të këtij regjioni.

Edhe në këtë grumbullim lojtarët e përzgjedhur nga vetë shkollat e futbollit patën mundësi që përgjatë tri orëve të tregojnë talentin e tyre para përgjegjësve të këtij projekti dhe trajnerëve nga të gjitha regjionet, të cilët po i vëzhgojnë të gjitha tiparet e këtyre lojtarëve, duke i vlerësuar secili me bindjen e tij ata që dallohen më shumë, njofton FFK, përcjell Zëri.info.

Image

Drejtori teknik i FFK-së, Michael Nees para talenteve ferizajas ka theksuar se ky projekt po realizohet me qëllimin që të përkrahen të rinjtë për të luajtur futboll, por njëherësh edhe për të evidentuar aftësitë e secilit prej pjesëmarrësve në këtë program, duke pasur parasysh se në secilin regjion në grumbullimet e tilla delegohen më të mirët nga shkollat e futbollit të lindur në vitin 2006.

Ai ka bërë të ditur se puna me këtë gjeneratë do të jetë në vazhdimësi dhe trajnerët do të jenë afër këtyre talenteve disa herë gjatë vitit për të parë përparimin e tyre, ngase mosha ndikon tek disa prej tyre që t’u jepet më shumë kohë e hapësirë për t’i shfaqur vlerat e tyre të vërteta.

Në anën tjetër edhe përgjegjësi i këtij projekti, Edmond Rugova i ka përshëndetur futbollistët e rinj, duke u premtuar se do të jenë sërish afër tyre për t’i vëzhguar, derisa ka kërkuar nga ta që të punojnë me përkushtim në mënyrë që potencialin e tyre ta kthejnë në përsosmëri në të ardhmen e afërt dhe të jenë pjesë e ekipeve kombëtare.

Image

Nga ajo çfarë u shfaq nga lojtarët e grumbulluar në Ferizaj, shihet se talenti ekziston, porse nevojitet shumë më tepër punë në të ardhmen në shkollat ku janë të aktivizuar dhe njëkohësisht edhe më shumë hapësira për lojë. Karvani i këtij projekti do të vazhdojë fundjavën e ardhshme me grumbullimet në regjionet e Mitrovicës dhe Pejës./Zëri.info